Ministria e Mjedisit: Nuk kemi lëshuar asnjë leje për ndërtimet në Badovc

Ministria e Mjedisit: Nuk kemi lëshuar asnjë leje për ndërtimet në Badovc

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka reaguar ndaj shqetësimeve të qytetarëve për ndërtimet në Liqeni i Badovcit. Në njoftimin e MMPH-së thuhet se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore, po ashtu thekson se nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim në atë zonë e cila është e mbrojtur.

 “MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, thekson MMPH.

Ministria e Mjedisit thekson se çfarëdo zhvillim i planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcit duhet të jetë në përputhje me legjislacionin dhe kriteret e parapara.

Po ashtu, bëhet e ditur se vetëm pas nënshtrimit të procedurave ligjore, mund të konstatohet se a mund të realizohet ndonjë projekt në atë zonë.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thekson MMPH-ja.

MMPH thotë se ka dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.

“Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, bëhet e ditur në njoftimin e  MMPH-së./Motilokal.com