Pas thirrjes së parë për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2 mijë konsumatorë familjarë, Agjencia e Efiçiencës së Energjisë ju drejtua sërish subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
AEE bëri të ditur se në fazën e dytë do të instalohen sërish 2 mijë panele diellore për konsumatorët familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
Sipas AEE-së, konsumatorët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Efiçiencës së Energjisë.
Në kuadër të situatës së vështirë energjetike me të cilën po përballet vendi dhe Europa, dhe në përputhje me Strategjinë Kombëtarë të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, qeveria vendosi zbatimin e një skema nxitëse për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë ofron subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Efiçiencën e Energjisë. Kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë si dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
/Motilokal.com
