Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit: Nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare për projektin në Badovc

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit: Nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare për projektin në Badovc

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, nëpërmjet një sqarimi ka bërë të ditur se deri me tani nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare apo kërkesë për verifikimin e vendndodhjes së lokacionit të supozuar ku është thënë se kompania ndërtimore parasheh realizimin e një projekti ndërtimor.

Sqarimi i plotë i AMMK-së:

Pas njoftimeve në media dhe në rrjetet sociale lidhur me mundësitë e ndërtimit të një kompleksi të objekteve në zonën e Liqenit të Badovcit, AMMK ka përcjellë me vëmendje të shtuar shqetësimin e qytetarëve, shoqërisë civile, OJQ-ve dhe grupeve tjera të interesit për këtë rast.

Bazuar në informatat jo zyrtare që kanë qarkulluar lidhur me këtë projekt, AMMK njofton opinionin e gjerë se deri me tani nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare apo kërkesë për verifikimin e vendndodhjes së lokacionit të supozuar dhe as që është kërkuar mendimi profesional i AMMK mbi ndikimet e mundshme të këtij projekti mbi ekosistemet përreth, zonat e mbrojtura të natyrës që shtrihen në këtë pjesë dhe në zonën e akumulacionit të Badovcit.

Sikurse është bërë e ditur edhe më herët Liqeni i Badovcit është i mbrojtur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Nr. 16/127, datë 24.04.2013) për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujorë sipërfaqësor-Akumulacioni i Badovcit.

No photo description available.

Nga diskutimet e deritanishme është supozuar po ashtu se zona e planifikuar mundë të shtrihet edhe në zonën e zgjeruar të propozuar për mbrojtje të Parkut të Gërmisë apo edhe në zona tjera të mbrojtura të natyrës në këtë hapësirë.

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, AMMK ju prezanton hartën e shtrirjes së të gjitha zonave të përmendura më lartë, dhe ata që e dinë lokacionin potencial të ndërtimit të kompleksit të objekteve mundë të vlerësojnë ndërlidhjen dhe ndikimet potenciale të projektit në këto zona.

AMMK si institucion përgjegjës për monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes së mjedisit përfshirë edhe resurset natyrore, vlerëson se çfarëdo qofshin projektet që janë në kundërshtim me shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore pa marrë parasysh qëllimin e tyre duhet t'i nënshtrohen procesit të marrjes së pëlqimeve dhe lejeve paraprake dhe respektimit të dispozitave që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për Mbrojtjen e Ujërave, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Planifikim Hapësinorë si dhe Planet përkatëse në nivel qendror dhe lokal që rregullojnë shfrytëzimin e hapësirave të caktuara natyrore./Motilokal.com