Pothuajse çdo vit në sezonin dimëror, Prishtina dhe shumë qytete të Kosovës po përballen me nivele të larta të ajrit të ndotur.
Tymi i liruar nga termocentralet e Obiliqit dhe i amvisërisë duke përdorur qymyr i përzier me mjegull dhe gazrat e liruara nga automjetet, po e çojnë ndotjen e ajrit në nivele shumë të larta.
Edhe pse temperaturat vazhdojnë të jenë të larta, në Kosovë veçanërisht në kryeqytet tashmë kanë filluar problemet me ndotjen e ajrit.
Sikurse edhe viteve të kaluara, siç duket edhe këtë vit vlerat e ndotjes së ajrit do të jenë po të njëjtat.
Në kryeqytet sot në mëngjes ajri është jashtëzakonisht i dobët, transmeton Motilokal.
Sipas matësit të vendosur nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në Prishtinë, ndotja e ajrit aktualisht shënon nivele të larta të ndotjes dhe i pashëndetshme.

Viteve të kaluara ka pasur raportime të shumta madje edhe protesta për ndotjen e ajrit, por akoma nuk është ndërmarrë asgjë për ta rregulluar këtë problem.
Kujtojmë se jo rrallë herë Prishtina është radhitur si qyteti i parë në botë me ndotjen më të madhe.
Grupet e ndjeshme të popullatës
Qëndroni në shtëpi nëse nuk e keni të nevojshme të dilni jashtë. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe njerëzit e moshuar, duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi. Personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin pompën e tyre më shpesh. Nëse duhet të dilni, vendosni maska me efikasitet të dëshmuar. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime Konsultohuni me mjekun tuaj. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse ndiheni mirë ose përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit.
/Motilokal.com
