Pjesa më e madhe e Alpeve thjesht nuk e kanë pamjen siç duhet ta kenë zakonisht në këtë periudhë të vitit. Reshjet e pakta të borës dhe moti i ngrohtë i dimrit në malet qendrore të Evropës po lejojnë që bari të mbulojë kodrat në të gjithë rajonin, duke shkaktuar dhimbje koke për operatorët e pistave të skive dhe pasionuarit e Alpeve të bardha.
Bari, shkëmbinjtë dhe po ashtu balta, ishin të dukshme të hënën në disa prej pistave më të famshme të skijimit në Evropë, si Innsbrucku në Austri, Villars-sur-Ollon apo Crans-Montana në Zvicër e Lenggries në Gjermani.
Mungesa e borës ka ringjallur shqetësimet në lidhje me ngritjen e temperaturave që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike.
Në një brez të gjerë nga Franca në Poloni, por me Alpet në qendër, shumë pjesë të Evropës po e shijonin motin me fanella me mëngë të shkurtra. Në Poloni temperaturat kanë arritur në afro 10 gradë Celsius ditët e fundit.
Është shumë kontrast krahasuar me motin e ftohtë dhe stuhitë që e goditën SHBA-në në ditët e fundit.
Parashikuesi shtetëror zviceran MeteoSuisse tregoi disa nga temperaturat më të nxehta ndonjëherë në këtë kohë të vitit. Një stacion meteorologjik në Delemont, në vargmalin Jura në kufirin francez, tashmë ka shënuar një temperaturë mesatare ditore rekord prej 18.1 gradë Celsius në ditën e parë të vitit, mbi 2-1/2 gradë Celsius më e lartë se rekordi i mëparshëm për janarin. Qytete dhe qyteza të tjera ndoqën shembullin me rekorde.
MeteoSuisse ka thënë se ky mot “mund t’ju bëjë të harroni se është kulmi i dimrit”.
Parashikuesi i motit i MeteoSuisse, Anick Haldimann, ka thënë se një sistem më i qëndrueshëm i motit që solli ajër më të ngrohtë nga perëndimi dhe juglindje ka ngecur, duke krijuar temperatura më të larta që pritet të qëndrojnë gjatë gjithë javës.
Ai ka thënë se të pasionuarit pas skive duhet të kenë durim.
Mungesa ka qenë veçanërisht e rëndë rreth Abelbodenit të Zvicrës, që pritet të presë garat e Kupës së Botës në skijim alpin të shtunën. Në një ditë të garave mblidhen rreth 25 mijë tifozë.
Mirëpo, drejtori i shtegut Toni Hadi, ka pranuar se gara do të organizohet qind për qind në borë artificiale këtë vit.
“Po ndryshon klima pak, por çfarë të bëjmë? A ta ndalim jetën? Jeta nuk është e lehtë. Çdo gjë është e vështirë, jo vetëm të përgatisësh një pistë për ski”, ka thënë Hadi.
Fillimi i vitit 2023 është vazhdim i asaj ku shumë shtete ishin: Viti i kaluar ishte më i nxehti ndonjëherë në Zvicër e Francë. Më gjerësisht, Organizata Botërore e Meteorologjisë e Kombeve të Bashkuara ka thënë se tetë vjetët e fundit janë më të nxehtat ndonjëherë.
Njëjtë si në Zvicër situata është edhe në Francë e Gjermani.
Në vendin fqinj në Francë, Agjencia Kombëtare e Motit Meteo France tha se viti 2022 përfundoi me disa si moti më i ngrohtë që vendi ka përjetuar ndonjëherë në këtë kohë të vitit, duke mbyllur një vit jashtëzakonisht të ngrohtë që pa rekorde të temperaturës të thyera dhe zjarre të shfrenuara pyjore dhe kushte thatësire.
Meteo France thotë se Alpet jugore dhe veriore, shpatet mbi 2200 metra, kanë parë reshje bore afër normales. Por bora mungon veçanërisht në lartësitë më të ulëta në Alpet veriore dhe në të gjithë Pirenejtë, tha ai.
Për të qenë të sigurt, Alpet mbulojnë shumë territor dhe jo të gjithë janë të zhveshur nga bora: Ndoshta në mënyrë kundërintuitive, disa nga reshjet më të mira të borës janë raportuar në Dolomitet italiane, në jug të Alpeve Zvicerane.
Në Gjermani, temperaturat të hënën kanë arritur deri 16 gradë Celsius. Madje në disa stacione të motit në jug të Gjermanisë temperaturat të hënën ishin deri 20 gradë Celsius.
Wim Thiery, profesor për shkenca klimatike në Universitetin e Brukselit, ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike nuk kanë mbaruar punën. Ai ka thënë se do të vazhdojë përkeqësimi, përderisa nuk ndalet përdorimi i karburanteve.
“Deri në fund të shekullit do të përfundojë sporti i skive në Alpe siç e njohim. Në të ardhmen, problemet do të përkeqësohen, sepse bora do të vazhdojë të shkrihet përderisa klima vazhdon të ngrohet”, tha Thiery.
/AFP/Motilokal.com
