Shqipëria gjatë natës është përfshirë nga moti i ligë me reshje shiu e borë në zonat malore.
Në Dardhë mësohet se trashësia e borës ka shkuar deri në 10 centimetra, duke i kthyer kështu magjinë këtij vendi turistik.

Ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në zonat malore kanë filluar reshjet e borës si në Dardhë, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, pa sjellë probleme për qarkullimin.

Sipas ARRSH-së kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të bërë pastrimin e akseve, shpërndarjen e kripës dhe për të mbajtur qarkullimin në normalitet.

“Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelohet në njoftim.
/Motilokal.com
