Qeveria e Kosovës ka miratuar po ashtu edhe draft-strategjinë për Transportit Multimodal për vitet 2023-2030.
Ministri i Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thëne se me këtë strategji synohet vendosja e një sistemi transporti të qëndrueshëm dhe të integruar duke forcuar mënyrat e ndryshme të transportit.
“Strategjinë e Transportit Multimodal për vitet 2023-2030 e cila ka për qëllim mobilitetin e shtuar, uljen e kostos së transportit dhe uljen e emetimeve të gazrave në vendin tonë. Strategjia është një plan për të ndërtuar një Kosovë më të mirë, më të zgjuar dhe më të gjelbër. Sistemi i transportit aktualisht në vendin tonë konsiderohet si jo i qëndrueshëm në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Strategjia trajton problemet e krijimit të politikave të qëndrueshme, ngritja e kapaciteteve përmes reformave në menaxhim, ngritja e sigurisë së transportit, mjedis më të pastër duke shfrytëzuar automjete me emetim zero të gazrave dhe me digjitalizimin në fushën e transportit”, ka deklaruar Aliu.
Po ashtu në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Automjeteve.
“Koncept-dokumentin për Fushën e Automjeteve i cili synon që të identifikojë mungesat dhe zbrazëtirat në Ligjin ekzistues për automjetet si dhe harmonizimin e tij të plotë me acquis të Bashkimit Evropian. Koncept dokumenti rekomandon hartimin e Ligjit të ri për automjete i cili do të përcaktojë kornizën e nevojshme ligjore për një rregullim të aspekteve të homologimit, kontrollit teknik të automjeteve, auto riparimet dhe veprimtaritë që lidhen me to, importimin e automjeteve, inspektimet, certifikimin, automjetet elektrike dhe hibride, etj. Gjithashtu rekomandohet ulja e ngarkesave administrative te institucionet dhe subjektet e përfshira në këtë fushë”, ka shpjeguar ministri Aliu.
/Motilokal.com
