Javë me reshje shiu e stuhi në Shqipëri

Javë me reshje shiu e stuhi në Shqipëri

Moti këtë javë në Shqipëri parashihet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Kjo vjen si pasojë e disa qendrave të thella të presionit atmosferik me origjinë polare të cilat do të përfshijnë Ballkani edhe pjesën më të madhe të Evropës.

Në këtë mënyrë moti për të gjithë javën parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, reshje shiu, erëra të forta, ndërsa në viset malore borë por nuk do të mungojnë edhe intervalet e herëpashershme dhe afatshkurtra me diell.

Pothuajse gjatë gjithë javës në Shqipëri parashikohet të mbajë mot me vranësira e reshje shiu të shoqëruara me shtrëngata.

Gjatë ditëve të ardhshme përgjatë ultësirës perëndimore (kryesisht veriperëndim dhe jugperëndim) reshjet do të jenë me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike. Në zonën e Alpeve parashikohen reshje të dendura bore ndërsa në relievet e tjera malore në lindje reshje bore me intensitet të ulët dhe vetëm ditën e premte me intensitet mesatar. Vlen për t’u theksuar se për këto ditë pritet erë tepër intensive me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi që arrin deri 20 – 25m/s ndërsa pritet edhe dallgëzim i lartë në dete të forcës 5-7 ballë.

Sot parashikohet të mbajë mot vranësira e reshje shiu me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive. Në relievet malore reshje bore. Temperaturat do të lëvizin nga 9 deri në 13 °C.

Të martën priten reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave ndërsa në relievet malore reshje bore. Temperaturat do të luhatën prej 9 deri në 12 °C.

E mërkura parashikohet me mot të vranët e reshje lokale shiu. Temperaturat do të sillen nga 12 deri në 15 °C.

/Motilokal.com