Kosova, e vetmja në rajon me qese falas

Kosova, e vetmja në rajon me qese falas

Nga Shkëlzen Rrecaj

Kosova ka mbetur e vetmja në rajon, ku qeset plastike vazhdojnë të jepen falas. Duket se kjo do të vazhdojë t’na shoqërojë edhe gjatë vitit 2023, anipse ishte paraparë që nga janari i këtij viti të hyjë në fuqi ligji për ndalimin e qeseve plastike, apo bërja e tyre me pagesë për konsumatorët.

Si duket qeset plastike do t’i shohim për pak kohë, duke “notuar” në ambientin ku jetojmë. E gjithë kjo zvarritje po bëhet për shkak të një udhëzimi administrativ.

Shqipëria nga viti i kaluar ka ndalur përdorimin e qeseve të plastikës. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi janë disa nga vendet që për një qese plastike duhet të paguash.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha në një prononcim për Motilokal.com u shpreh se gjatë vitit të kaluar është bërë studimi për qeset plastike për të parë mënyrën më të mirë për zvogëlimin e përdorimit të tyre.

 “Janë bërë disa takime me grupin punues, ku përveç ministrive përgjegjëse, pjesë e këtij grupi kanë qenë dhe prodhuesit, shitësit me pakicë dhe importuesit. Në dhjetor të vitit që lëmë pas, ka përfunduar Udhëzimi Administrativ (UA) për Ambalazh dhe Mbeturinat e Ambalazhit ashtu siç është paraparë”, deklaroi znj, Çavdarbasha.

Sipas saj, “UA nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet (xham, kanaçe dhe plastikë) dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e këtij sistemi, andaj jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij UA deri sa të rregullojmë dhe pjesën e SRD-së”.

Ajo theksoi se me ndryshimet e bëra Udhëzimi Administrativ duhet edhe njëherë të dalë në diskutim publik e pastaj të shkojë në mbledhje të qeverisë.

“Pra qëllimi nuk ka qenë që ta kalojmë udhëzimin administrativ pa i qartësuar të gjitha aspektet që mbulon ky udhëzim, mirëpo të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe ta rregullojë si duhet edhe sistemin e rimbursit të depozitave edhe reduktimin e qeseve të plastikës”, tha zëvendësministrja Çavdarbasha.

Tutje znj. Çavdarbasha theksoi se sa i përket qeseve të plastikes, do të ndalohet prodhimi i qeseve me peshë më të lehtë se 25 mikron, kurse prej 25-50 mikron do të vendoset taksa duke filluar nga 0.05 cent.

Ekologja Egzona Shala nga EcoZ për Motilokal deklaroi se qeset plastike për një përdorim duhet të ndalohen menjëherë, sepse ato nuk janë të biodegradueshme dhe mund të duhen qindra vjet për t'u shpërbërë në mjedis.

Sipas ekologes Shala arsyeja e këtij përshpejtimi është se ato mund të dëmtojnë florën, faunën, të ndotin trupat ujorë dhe të kontribuojnë në ndotjen e përgjithshme të planetit. Për më tepër, ato shpesh përdoren vetëm për një periudhë të shkurtër kohore përpara se të hidhen, duke i bërë ato pastaj të panevojshme.

Në vend të qeseve plastike znj. Shala rekomandon që të përdoren çantat e ripërdorshme, “Inkurajimi i përdorimit të çantave të ripërdorshme është një alternativë më e qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. Llojet e ndryshme të këtyre çantave madje prodhohen në Pejë nga mbeturinat e tekstilit”, thekson znj. Shala.

Tutje ajo thotë se qeset e plastikës kontribuojnë gjithashtu në hedhjen e mbeturinave në rrugë, parqe dhe hapësira të tjera publike e siç e dimë Kosova ka hapësira të tilla në çdo kënd.

“Qeset plastike mund të kenë gjithashtu një ndikim negativ në mjedis duke bllokuar sistemet e kullimit (drenazhës), që shkakton bllokime në këto sisteme dhe përmbytje e kundërbime aromash. Qeset plastike njëpërdorimëshe mund të shkaktojnë një gamë të gjerë dëmtimesh mjedisore deri tek ndikimet në jetën e njeriut”, tha Shala për Motilokal.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bëhet e ditur se në vitin 2021 janë grumbulluar 485 mijë ton mbeturina komunale, ku përfshihen edhe qeset e plastikës.

Sipas ASK-së përgjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 253 kilogramë.

Disa të dhëna nga Dogana e Kosovës


Ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit për ndikimin e plastikës dhe mbeturinave në ekosistem ka dalë të jetë sfidë globale. Motilokal me shkrime dhe kampanja është munduar dhe vazhdon të japë kontributin e tij në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e tyre dhe dëmin që këto objekte e kanë në ekosistemin tonë.

/Motilokal.com