Reshjet e shumta të shiut kanë bërë që gjatë ditës së sotme të ketë vërshime në disa komuna të Kosovës, gjë që ka shkaktuar edhe bllokim të rrugëve dhe depërtim të ujit nëpër disa shtëpi dhe banesa.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një komunikate ka treguar për situatën e vërshimeve në Kosovë dhe këshillat e veprimet të cilat duhen të merren gjatë një përmbytje.
Njoftimi i plotë:
Njoftim me të dhënat më të fundit Hidrometeorologjike dhe këshillat dhe veprimet te cilat duhen të merren gjatë një përmbytje.

Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.
Zonat më të prekura, janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Yubin Potok, Leposaviç etj. Situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
/Motilokal.com
