Reshjet e shumta të shiut kanë bërë që gjatë ditës së sotme të ketë vërshime në disa komuna të Kosovës, gjë që ka shkaktuar edhe bllokim të rrugëve dhe depërtim të ujit nëpër disa shtëpi dhe banesa.
Në Komunën e Mitrovicës, lumenjtë si Ibri, Sitnica dhe Lushta kanë dalë nga shtrati i tyre duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët, pasi uji ka hyrë në zonat e banuara si dhe në toka bujqësore dhe bllokim të rrugëve.
Për shkak të kësaj gjendje, kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallet gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës.
“Kryetari i Komunës së Mitrovicës Bedri Hamza, pas vlerësimit të gjendjes së shkaktuar nga reshjet e shiut dhe koordinimit me drejtorinë përkatëse ka formuar-aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë komuna të vendit, autoritetet janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.
Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
/Motilokal.com
