Qeveria e Kosovës njofton për gjendjen nëpër komuna pas vërshimeve

Qeveria e Kosovës njofton për gjendjen nëpër komuna pas vërshimeve

Qeveria e Republikës së Kosovës, bën të ditur se së bashku me të gjitha institucionet e saj vartëse po vazhdon angazhimin e saj në përballje me vërshimet e shkaktuara pas reshjeve të mëdha.

Siç njoftohet, aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna.

“Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth”.

Qeveria thotë se është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.

“Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik emergjent 112”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

/Motilokal.com