Shqipëria fillon të zbardhet nga bora

Shqipëria fillon të zbardhet nga bora

Nga veriu në jug, Shqipëria edhe ditën e sotme po përballet me pasojat e motit të ligë. Ashtu siç edhe kemi paralajmëruar reshje e borës tashmë kanë filluar përveç në zonat malore edhe në ultësira.

Në Qarkun Korçë, gjatë natës ka patur reshje dëbore, veçanërisht në kuotën sipër 1200 metrat, por edhe në aksin Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë, ku ka reshje dëbore të pakta, dhe po punohet me mjete borëpastruese dhe për kriposjen e asfaltit.

Për momentin, qarkullimi nuk ka qenë problematik. Segmentet kryesore nacionale dhe ato turistike Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë kanë qenë të hapura dhe pa probleme, është punuar gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e tyre.

Në bashkinë Kolonjë gjatë natës ka patur erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm, ndërsa në mëngjes borë 2-3 centimetra. Si pasojë ka patur dëmtime në dy shkolla, respektivisht në Selenice – Shalsi dhe Borove, dhe po punohet për riparimin e tyre. Në dy shkollat e para do të kryen punimet nga bashkia ditën e sotme dhe nesër do të vijojë mësimi normalisht. Shkolla e Borovës ka kohë që nuk funksionon si shkollë.

Ka përmirësim te furnizimit me energji elektrike, sot ka defekte sporadike ne bashkinë Pogradec fshati Jollë, ne bashkinë Devoll fshati Çipan, në bashkinë Korçë, fshatrat Kodra dhe Peshtan, të Njësisë Administrative Vithkuq.

/Motilokal.com