Pylli i Fazanëve në Maliq, është një tjetër destinacion ku vizitorët mund të shijojnë natyrën dhe të shohin shpendë të ndryshëm.
Pozita gjeografike dhe klima e favorshme bën që kjo zonë të jetë e përqendruar kryesisht tek bujqësia dhe blegtoria. Rreth 1 kilometër nga qendra e qytezës mu në “zemër” të ish- kënetës, mes fshatrave, Libonik, Orman dhe Drithas i Poshtëm ndodhet Pylli i Fazanëve. Dikur një zonë mjaft e vizituar nga banorët vendas dhe jo vetëm, por që sot për fat të keq është lënë në mëshirë të fatit dhe për më tepër dora e njeriut ka shkaktuar dëme të mëdha.

Pylli i përzierë i Maliqit ose siç njihet me emrin Pylli i Fazanëve, gjendet në fshatin Drithas i Poshtëm, pjesë e ish- komunës së Libonikut të rrethit të Korçës, sot pjesë e bashkisë së madhe të Maliqit, ai ndodhet 813.5 m mbi nivelin e detit. Ky pyll ka një sipërfaqe prej 46 hektarë dhe në vitin 1960 është shpallur monument natyror.

Konsiderohet si pyll i përzierë gjysmë natyror, i përbërë prej plepit, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit. Është një mbetje e pyllit të dikurshëm që mbulonte pjesën veriore të moçalizuar dhe kënetëzuar të fushëgropës së Korçës. Drurët e këtij pylli janë mbi 60-vjeçarë. Lartësia maksimale e drurëve arrin në 22.7 m, diametri maksimal 80 cm. Sipas specialistëve ky pyll ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, didaktike dhe turistike. Për të shkuar në destinacion duhet të ndjekësh rrugën nga Liboniku në Drithas dhe që këtej tek pylli i Maliqit.

Ky pyll ka dhe një pamje mjaft piktoreske pasi në pjesën perëndimore të tij përshkohet nga lumi i Dunavecit, ndërsa gjatë pjesës veriore derdhet lumi i Devollit. Kjo hapësirë e pyllëzuar prej vitesh ndodhet nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura pranë Ministrisë së Mjedisit. Nga një investigim i terrenit dhe nga rrëfimi i banorëve mësohet se që prej rënies së regjimit komunist në këtë pyll që dikur ka qenë zonë mjaft e vizituar, ka ndodhur një prerje pa kriter e pyjeve.

Ndërsa një fatkeqësi tjetër që ka ndodhur me të është largimi i të gjithë kafshëve të egra dhe shpendit simbol të tij, fazanit, pjesë e këtij habitati për dekada me radhë. Sorkadhet, kaprojtë, lepujt, ujqërit, dhelprat dhe shumë kafshë të tjera prej vitesh tashmë janë larguar nga ky habitat dhe së bashku me këto kafshë ka humbur edhe interesi i vizitorëve. Duke qenë një zonë malore dhe me një dimër të ashpër nevoja për dru zjarri ka bërë që edhe vetë banorët e zonës të jenë “armiqtë” më të mëdhenj të kësaj zonë turistike.

Fazani
Fazani në Shqipëri e ka origjinën shumë të lashtë, ose të paktën që prej kohës së Bushatllinjve.
Në vitin 1956 u sollën nga Rumania rreth 500 krerë fazanë dhe u hodhën në Rrushkull, të shpallur po atë vit si Rezervat Gjuetie. Me fazanët e shtuar në Rushkull u populluan rezervatet e Fushë Kuqes, Maliqit, Divjakës, Pishë Poros ne Fier e Vlorë, etj. Në 1973, në Rezervatin e Fushë Kuqes filloi puna eksperimentale për rritjen e fazanëve me metodën gjysmë natyrore (çelja e vezëve dhe rritja e zogjve me pula shtëpiake), ndërsa në 1975 filloi rritja gjysmë industriale (çelja e vezëve me inkubatorë të posaçëm të importuar dhe rritja e zogjve në stalla). Mbështetur në këto arritje, u ngritën 7 fazaneri në të gjithë rezervatet e gjuetisë të bregdetit, si në Rrushkull (Durrës), Fushë Kuqe (Krujë), Vain (Lezhë), Kurorë (Fier), Pishë Poro (Vlorë), Pisha e Divjakës (Lushnjë) dhe Velipojë (Shkodër).

Në vitin 1999 në Shqipëri numëroheshin vetëm 62 fazanë. Ndërsa fatkeqësia më e madhe që deri më sot askush nuk është vënë para përgjegjësisë është prerja masive e drurëve në këtë pyll, pas lejeve të shfrytëzimit që janë dhënë prej vitesh nga qeveri të ndryshme si të majta dhe të djathta.
