A kishte tërmet në Kosovë?

A kishte tërmet në Kosovë?

Një tërmet prej 5.7 shkallë të Rihterit është regjistruar mesditën e sotme (e martë) në Rumani, lëkundjet e të cilit u ndjen edhe në Kosovë dhe një pjesë të Shqipërisë.

Lëkundjet kanë shkaktuar panik te qytetarët në Kosovë, kryesisht në Prishtinë të cilët kanë dalë edhe jashtë.

Në media u raportua se tërmeti ishte në Kosovë, gjë që rezultoi të ishte e pasaktë.

Përkitazi më këtë reagoi edhe drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa në një postim në Facebook, ku bërë thirrje që të mos krijohet panik te qytetarët me tituj e me të dhëna jo të sakta

“Në Kosovë nuk kishte tërmet. Tërmeti ka goditur në Rumani, por për shkak të fuqisë dhe energjisë se liruar dhe përhapjes nëpër mjet valëve sizmike kap distancë deri 500km”, ka shkruar Mustafa.

Lidhur më këtë Motilokal.com bërë një kërkim në faqen e internetit te Rrjeti Kombëtar i Monitorimit Sizmik të Shqipërisë (IGJEO), ku njoftohej se në Krumë ka patur tërmet me magnitudë 5.8.

IGJEO për Motilokal sqaroi se bëhet fjalë për tërmetin në Rumani.

“Bëhet fjalë për tërmetin e Rumanisë dhe është 358 kilometra në lindje të Krumës. Pra, merret si referencë pika më e afërt për të dhënë një informatë të përafërt në lidhje me vendndodhjen.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, ka folur lidhur me situatën që u krijua të martën pasi dridhje të tokës u ndjenë në disa pjesë të Kosovës.

Ahmeti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin informatat zyrtare nga Instituti Sizmologjik i Kosovës, duke shmangur panikun për rrezikun e mundshëm.

“Sipas organizatës së pavarur shkencore dhe ofruese të informacioneve për tërmetet, EMSC, rreth orës 14:16 min, sipas kohës lokale, ka ndodhur një tërmet me shkallë 5.7 Rihter në Rumani. Gjatë këtij tërmeti, lëkundjet janë ndjerë edhe në Kosovë”.

“Qytetarët e Kosovës duhet ndjekur informatat zyrtare të lëshuara nga Instituti Sizmologjik i Kosovës, duke shmangur informatat e pavërteta dhe panikun për rrezikun e mundshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

/Motilokal.com