Stebleva, një mrekulli e fshehur që duhet vizituar

Stebleva, një mrekulli e fshehur që duhet vizituar

Stebleva është një fshat që bën pjesë në zonën e Dibrës me tradita Dibrane, por si ndarje e re territoriale mbas viteve 1990 e administron rrethi i Librazhdit.

Sipas shënimeve në Wikipedia Stebleva shtrihet në një lartësi rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Ka klime shumë të mirë me ajër të pastër dhe me ujë të kulluar, që del nga burime të shumta natyrore. Pyjet dhe livadhet shumëngjyrëshe mbulojnë territorin e Steblevës që kufizohet me shumë fshatra të tjerë brenda dhe jashtë kufirit.

Stebleva është perlë e vërtete për bukuritë e rralla natyrore që ka. Ajo është shumë e përshtatshme për turizëm, pasi verës ka lulëzim të plotë, ndërsa dimrit mbulohet me borë, pra është e përshtatshme për turizmin e bardhë dhe sportin e skive.

Stebleva është një teatër natyror, një gërshetim i mahnitshëm i lëndinave, pyjeve, kodrinave, maleve dhe lumenjve. “Maja e Zezë”, e cila ndodhet në lartësinë 2225 metra mbi nivelin e detit, është maja më e lartë në këtë zonë. I dyti renditet mali i Raduçit, me një lartësi  2084 metra, i cili shtrihet në lindje të Steblevës. Stebleva përshkohet nga përrenj dhe kroje të shumtë, të cilët pasi grupohen formojnë lumin Zalli i Steblevës që përshkon rrugën Borovë – Trebisht – Okshtun, në Gjoricë të Dibrës dhe më tej bashkohet me Drinin e Zi. Krahas bukurisë, florës dhe faunës së pasur, ky lumë karakterizohet edhe nga cilësia parësore e peshkut që rritet në këto ujëra, trofta me pika të kuqe.

Të mahnitshme janë pllajat dhe lëndinat e Visharicës, malit të Kallkanit e Mllacit, të cilat përbëjnë një nga pjesët më tërheqëse të Steblevës, të përshtatshme për aktivitetet sportive gjatë muajve të verës dhe pistat natyrore për ski, gjatë sezonit të dimrit./Motilokal.com