Të paktën 36 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbytjet në Brazil

Të paktën 36 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbytjet në Brazil

Reshjet e dendura të shiut në zonat bregdetare të juglindjes së Brazilit kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, duke mbytur 36 persona, e dhjetëra të zhdukur dhe qindra të shpërngulur, njoftuan autoritetet shtetërore të São Paulos.

Ekipet e shpëtimit po luftojnë për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të zhbllokuar rrugët. Më shumë se 600 mm shi ranë në disa zona të dielën, dyfishi i sasisë së pritur për muajin.

“Ekipet e kërkimi-shpëtimit nuk po arrijnë në disa vende, është një situatë kaotike”, tha Felipe Augusto, kryebashkiaku i qytetit të goditur rëndë të São Sebastião.

“Ne nuk e kemi vlerësuar ende shkallën e dëmit. Ne po përpiqemi të shpëtojmë të prekurit.”

Dhjetëra ishin të zhdukur në qytet dhe rreth 50 shtëpi ishin shembur dhe rrënuar, shtoi Augusto, duke thënë se situata mbeti “jashtëzakonisht kritike”. Qeveria e shtetit raportoi të paktën 35 vdekje në São Sebastião.

“Fatkeqësisht, do të kemi shumë më shumë vdekje”, tha një zyrtar i mbrojtjes civile.

Ndërkohë, zyrtarët thonë se 228 persona të tjerë kanë mbetur të pastrehë, me 338 të tjerë të evakuuar nga rajonet bregdetare në veri të São Paulos.

Një gjendje fatkeqësie 180-ditore u shpall në gjashtë qytete të shtetit: São Sebastião, Caraguatatuba, Ilhabela, Ubatuba, Guarujá dhe Bertioga.

Në këtë zonë priten reshje të tjera të dendura, të cilat rrezikojnë të përkeqësojnë edhe më shumë kushtet për ekipet e emergjencës. Ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet pritet të bëhen më të zakonshme pasi ndikimet e ndryshimeve klimatike u përhapën.

Vitin e kaluar, shirat e rrëmbyeshëm në qytetin juglindor të Petropolis shkaktuan më shumë se 230 viktima.

/Motilokal.com