Të paktën 8 të lënduar nga tërmetet e reja që tronditën provincën Hatay të Turqisë

Të paktën 8 të lënduar nga tërmetet e reja që tronditën provincën Hatay të Turqisë

Të paktën tetë persona janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të tjera që tronditën provincën jugore turke Hatay, ka njoftuar agjencia e lajmeve Anadolu.

Në një konferencë për media, zv/presidenti turk, Fuat Oktay, njoftoi se të plagosurit janë dërguar në spital për mjekim.

Oktay tha se po vazhdojnë dridhjet pas dy tërmeteve, me të paktën 20 të regjistruara deri më tani. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara.

Ai po ashtu njoftoi se Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Observatori Kandili me bazë në Stamboll dhe Instituti i Kërkimeve të Tërmeteve kanë hequr paralajmërimin për një rritje të mundshme të nivelit të detit.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), lëkundja me magnitudë 6.4 ka ndodhur rreth orës 20:04 sipas kohës lokale në rrethin Defne të provincës Hatay, ndërsa tjetri me magnitudë 5.8 ka ndodhur tre minuta më vonë me epiqendër në Samandağ po ashtu në provincën Hatay.

Tërmetet e dy javëve më parë, megjithëse ishin me qendër në Kahramanmaraş, 100 kilometra ose më shumë nga provinca Hatay, shkaktuan dëme të mëdha edhe në këtë provincë.

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 me epiqendër në Kahramanmaraş goditën edhe dhjetë provinca të tjera, respektivisht provincat Hatay, Gaziantep, Malatya, Şanlıurfa, Adana, Adımayan, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye dhe Elaziğ. Nga këto dy tërmete shkatërruese u prekën mbi 13 milionë njerëz.

Sipas shifrave të fundit zyrtare, të paktën 41 mijë persona humbën jetën nga tërmetet në Turqi. Mijëra të tjerë u plagosën.

/Motilokal.com