“Le t'i japim atdheut tonë atë që e meriton”, ishte motoja e urimit të Motilokal për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në vazhdimësi si redaksi e Motilokal që përveç motit, mundohemi që t’i kushtojmë rëndësi të veçantë promovimit të bukurive natyrore shqiptare, për ruajtjen e lumenjve, pyjeve, të mos e ndotim ajrin që thithim, ujin që pimë e shumëçka.
Por, si duket nuk po mjaftojnë edhe fotografitë e bukura e as ato të shëmtuara që të vetëdijesohemi.
Ndonjëherë është më mirë ta marrim shportën me vete, apo edhe të festojmë në shtëpi sesa t’i japim një pamje të keqe festës, gëzimit tonë.
Edhe festa e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, duhet të na jap një mesazh që atdheun nuk e duam vetëm për shëtitje apo vizita të monumenteve historike për të treguar se isha këtu, isha atje. Por, duhet të jetë e kundërta që atdheut t’i japim atë që e meriton, tokën e gjelbër, lumenjtë e pastër, tokën e pastër, ajrin e pastër.
Një dukuri e tillë, shumë e shëmtuar u pa edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku mbeturinat notonin në tokën e larë me gjakë.
/Motilokal.com
