Qendra për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve të Shqipërisë ka njoftuar se fillim-shkurti i këtij viti shënoi momentin e grumbullimit të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në koloninë e vetme të këtij lloji në Shqipëri në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Sipas njoftimit këtë sezon folezimi, pelikani u grumbullua pak më vonë se vitet e tjera por krejtësisht brenda periudhës normale që ky lloj grumbullohet në koloni. Rreth 70 çifte janë ulur deri më tani në klloçitje dhe ka ende gjasë që numri të rritet në ditët në vijim.

“Pelikani kaçurrel, është lloj i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje në vendin tonë. Falë punës së palodhur, veçanërisht gjatë 10 viteve të fundit, kryesisht të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Fierit por edhe disa OJF-ve dhe donatorëve, popullata e këtij lloji filloi të rritet ndjeshëm. Ky rast, përfaqëson ndoshta shembullin më të mirë të ruajtjes dhe rimëkëmbjes së llojeve në rrezik zhdukje në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Ky shembull është njohur dhe fort nderuar ndërkombëtarisht duke e bërë Parkun Divjakë-Karavasta të dëgjuar si një prej modeleve më të mira të menaxhimit mjedisor në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Natyra e shpërblen punën dhe përkushtimin”, thuhet në njoftimin e Shpendët e Shqipërisë.
/Motilokal.com
