Celularët e ardhshëm do të integrohen në veshin tonë, thotë 'babai' i telefonit

Celularët e ardhshëm do të integrohen në veshin tonë, thotë 'babai' i telefonit

Brezi i ardhshëm do të ketë telefona të ngulitur nën lëkurën e veshëve të tyre, parashikon Martin Cooper, i cili quhet edhe "babai i celularit" pasi është njeriu që shpiku celularin e parë në vitin 1973.

Këto pajisje nuk do të kenë nevojë për mbushje, sepse "trupi ynë është mbushës i përsosur", shpjegoi Cooper për CNBC. "Kur ne hamë, trupat tanë krijojnë energji, apo jo?", kujtoi ai, duke parashikuar se këto pajisje të vogla të ngulitura do të konsumonin energji minimale për të funksionuar. Në fund të fundit, vihet re se një numër startup-sh, si Neuralink i Elon Musk, aktualisht po zhvillojnë teknologji që synojnë të lidhin trurin e njeriut me kompjuterët.

Cooper është njeriu që, si inxhinier në Motorola në vitet 1970, krijoi pajisjen e parë të telefonit celular. Ishte një pajisje masive në formë çizme, aq e rëndë sa u bë e njohur si "tulla".

Sot, inxhinieri veteran thotë se telefonat inteligjentë janë bërë shumë të komplikuar, me shumë aplikacione dhe një formë që nuk i përshtatet kthesave të fytyrës njerëzore. “Sa herë që bëj një telefonatë dhe nuk kam kufje me valë, më duhet ta vendos këtë gjë të sheshtë në kokën time të rrumbullakët dhe ta mbaj dorën në një pozicion të vështirë”, shpjegoi ai.

E vërteta është se tregu i smartfonëve ka qenë i ngjeshur vitet e fundit, kështu që ekziston një ndjenjë që kompanitë në industri po luftojnë për të dalë me dizajne të reja, inovative.

Dhe në të njëjtën kohë, përhapja masive e telefonave celularë sot vjen me një mori problemesh, nga varësia ndaj mediave sociale deri te çështjet e privatësisë. Cooper pranon problemet që ka sjellë krijimi i tij, por është optimist për të ardhmen, duke besuar se teknologjia do të ndezë shumë zhvillime pozitive në fusha të tilla si arsimi dhe shëndetësia. “Kam një besim të fortë te njerëzimi. Unë shikoj historinë dhe shoh përparimin që kemi bërë me teknologjinë dhe disi, njerëzit gjejnë një mënyrë. Bota është më mirë tani. Njerëzit jetojnë më gjatë. Ata janë më të pasur, janë më të shëndetshëm se kurrë. Kemi uljet dhe ngritjet tona. Por në përgjithësi njerëzimi po përparon”, tha inxhinieri. 

Cooper mori një çmim këto ditë në Barcelonë, për të shënuar 50-vjetorin e ditës kur bëri telefonatën e parë me celular teksa po ecte në Nju Jork. Duke përdorur Motorola DynaTAC 8000X, telefoni i paraqitur në filmin popullor "Wall Street", ai më pas thirri konkurrentin e tij kryesor në AT&T, Joel S. Engel.

Por inxhinieri pranon se nuk e kishte imagjinuar kurrë që celularët do të bëheshin laptopë, siç janë sot. “50 vjet më parë ishte një kohë vërtet primitive. Nuk kishte internet, nuk kishte rrjete të unifikuara në shkallë të gjerë, nuk kishte kamera dixhitale", tha Cooper. Dhe ai ka rrëfyer se nuk i ka shkuar kurrë në mendje ideja që celularët një ditë do të bëhen kamera dhe enciklopedi.

“Ne e dinim se lidhja ishte e rëndësishme. Dhe ne thoshim një batutë: Se një ditë, në momentin që do të lindësh, do të marrësh një numër telefoni. Dhe nëse nuk do të përgjigjeshit në telefon, do të kishit vdekur. Prandaj, e dinim që një ditë të gjithë do të kishin një celular. Dhe kjo pothuajse ka ndodhur”, tha ai.

Aktualisht, abonimet e telefonave celularë në botë janë më shumë se popullsia e tokës, ndërsa dy të tretat e njerëzve kanë celularët e tyre.

/Motilokal.com