Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë u shpall sot Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të së cilit, Lumit Vjosa-Aoös, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe ruhet efektivisht si një lumë i gjallë, i egër, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës në Shqipëri, Greqi dhe në botë.
Ceremonia e posaçme u zhvillua në Tepelenë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Mirela Kumbaro, Kryetarëve të bashkive të qarqeve Gjirokastër, Fier dhe Vlorë, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare mjedisore, përfaqësuesve të trupit diplomatik e të ftuarve të tjerë.
Vjosa, do të jetë një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Evropën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike evropiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.
Kryeministri Rama e vlerësoi këtë akt, si një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.
“Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës”, tha Rama.
Ai tutje theksoi se ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është një vendim i lehtë, është një vendim i vështirë për njëmijë e një arsye, shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”.
“Më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrjeje jashtëzakonisht sfiduese dhe patjetër që i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu, ku dua të veçoj në mënyrë të posaçme dy njerëz, Mirelën, ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe Adelinën, drejtoren tonë të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të cilat me shumë këmbëngulje dhe me shumë durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces”, u shpreh Rama.
“Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës dhe në këtë rrugë për të ardhur deri këtu, patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër për t’i shfrytëzuar siç e panë të arsyeshme, u turrën nga Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja, Shumë evropianë që pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë”.
“Është kënaqësi që edhe atyre iu japim mundësi që përmes Vjosës të bëjnë një larje, sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre, ashtu sikundër është shumë kënaqësi që mes tyre ne kemi pasur fatin të njohim dhe të takojmë njerëz të cilët janë vërtetë bekimi i këtij planeti, siç është Ryan këtu që shet rroba në të gjithë botën dhe bën miliarda, por në të njëjtën kohë, ka një shqetësim “genuine” për të kontribuar për këtë planet i cili është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm apo edhe të tjerë si Ryan se nuk po i përmend të gjithë me radhë, me të cilët jemi shumë të lumtur që të mund të bashkëpunojmë”.
Rama tha se Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur.
“E kemi gjetur me shumë më pak kur ne morëm detyrën dhe çdo vit kemi rritur sipërfaqen e zonës së mbrojtur dhe objektivi ynë është që ta çojmë në 30% territorin e vendit tonë që është zonë e mbrojtur”, deklaroi Rama.
Rama theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë sot me një moratorium absolut për gjuetinë prej tanimë shumë vitesh. Vendosëm ta ndalojnë gjuetinë dhe kemi një ripërtëritje të ndjeshme dhe shumë frymëzuese të faunës sonë në të gjithë territorin.
Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria është në moratorium të pyjeve, por patjetër që këto nuk mjaftojnë dhe na duhet një tjetër reformë për menaxhimin e pyjeve, për t’i kthyer pyjet në mirësi dhe mirëqenie për të gjithë brezat, jo në zona ku vetëm disa të babëzitur që gllabërojnë sot për sot përfitojnë, ndërkohë që të tjerët dëmtohen përjetë.
“Mos harrojmë se janë 12 700 e kusur hektarë park, është një park gjigant i cili përshkon praktikisht gjithë trupin e vendit dhe jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues edhe me fqinjët tanë, me Greqinë, me kryeministrin, me ministrin e Mjedisit në Greqi, për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit dhe për ta trajtuar këtë territor, këtë shtrat të Vjosës që nuk fillon në Shqipëri, por është matanë kufirit si një pasuri të përbashkët dhe për të investuar bashkërisht në radhë të parë dijen, por pastaj edhe financat. Janë 80 milionë dollarë të para që do të vendosen në dispozicion të këtij parku për të bërë të mundur që të gjitha bashkitë dhe të gjitha komunitetet e këtyre bashkive që i përshkon lumi i Vjosës, të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë, që do të thotë një projekt masiv për kanalizimet në të gjitha këto bashki dhe për pastrimin dhe përpunimin ujërave të ndotura”, njoftoi Rama.
Në fund kryeministri Rama tha se jemi në një ditë shumë të mirë sot, por është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe është një sfidë e cila praktikisht fillon sot me marrjen në dorë të kësaj pasurie dhe transformimin e saj në një aset te paprekshëm por njëkohësisht edhe në një aset që sjell të ardhura më shumë për ata që kanë bekimin të lindin dhe të jetojnë këtu, por edhe për shumë nga ata që kanë ikur dhe që Vjosa duhet t’i tërheqë të kthehen, por edhe për të gjithë komunitetin.
/Motilokal.com
