“Peshkaqeni i mbeturinave”, roboti i shpikur nga kompania Ran Marine mund të japë një kontribut të rëndësishëm në pastrimin e lumenjve dhe liqeneve.
Themeluesi i Ran Marine është Richard Hardiman, i cili mori idenë për robotin pasi pa dy persona që përpiqeshin të mblidhnin mbeturinat nga varka e tyre.
"Ata grumbulluan mbeturina nga uji ndërsa era po frynte. Mua metoda e tyre më dukej joefikase", tha Hardiman për Euronews.
Ai e quajti robotin e tij “WasteShark” ose në shqip “Peshkaqeni i mbeturinave” dhe dizajni u frymëzua nga nofullat e mëdha të peshkaqenëve që gëlltitin gjithçka në rrugën e tyre. Roboti mund të mbledhë deri në 21,000 shishe mbeturinash në një ditë.

"Kjo është një makinë autonome që mbledh mbetjet nga uji në nivelin e sipërfaqes. Këto mbetje mund të jenë plastike ose diçka tjetër, madje edhe biomasë si algat", shtoi ai.
Roboti aktualisht po përdoret në lumin Thames në zonën e Canary Wharf në Londër, e cila vizitohet nga 120,000 njerëz çdo ditë për punë ose pazar. Kjo zonë menaxhohet nga Canary Wharf Group, një grup që ka udhëhequr iniciativa të shumta për të reduktuar sasinë e plastikës për një përdorim. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, filxhanet e kafesë dhe ambalazhet e ushqimeve ende përfundojnë në ujë.
Roboti “Peshkaqeni i mbeturinave” është ideal për mbledhjen e mbeturinave të tilla dhe është gjithashtu miqësor me mjedisin.
"E kemi projektuar që të mos ketë ndonjë efekt të dëmshëm në mjedisin ku operon. Do të shihni shumë varka që lundrojnë ndërsa ekuipazhet mbledhin mbeturina, por këto varka përdorin edhe karburant, kështu që edhe ato e ndotin pak ujin", tha Hardiman.
“Peshkaqeni i mbeturinave”, nuk e ka atë problem sepse përdor një makinë elektrike dhe është gjithashtu mjaft e qetë për të mos i shqetësuar kafshët.
Rosat dhe mjellmat i largohen atij dhe ai nuk është aq i shpejtë sa për të kapur peshk, ndaj është një zgjidhje e shkëlqyer”, përfundoi Hardiman.
/Motilokal.com


