Ndryshimet klimatike: Shqipëria vendi më i rrezikuar në Ballkan

Ndryshimet klimatike: Shqipëria vendi më i rrezikuar në Ballkan

Ndryshimet klimatike po ndikojnë përherë e më shumë në natyrën dhe jetën në Shqipëri. Një vend me vetëm 28 mijë kilometra katrorë i ndodhur në perëndim të gadishullit ballkanik, buzë deteve Adriatik dhe Jon me një popullsi prej rreth 3 milionë banorë, por edhe i konsideruar si një vend me rrezikshmëri të lartë për përmbytjet, thatësirat dhe zjarret në pyje dhe mungesën e reshjeve të borës.

Sipas të dhënave të fundit temperatura mesatare vjetore e saj është rritur mbi 1°C krahasuar me mesataren shumëvjeçare. Po ashtu është dyfishuar numri i ditëve me temperaturë mbi 20 °C dhe është trefishuar numri i netëve tropikale, krahasuar me mesataren shumëvjeçare.

Në kushtet e një klime të ndryshuar nevojiten politikat më të mira të përshtatjes graduale me sfidat globale të klimës.

Për të folur rreth kësaj çështjeje që tashmë është shqetësim në shkallë globale, portali motilokal.com zhvilloi një bisedë me njohësin e ndryshimeve klimatike si dhe drejtorin e  Institutit të Politikave Mjedisore, z. Endri Haxhirajn.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Sot ndryshimet klimatike është prej kryetemave në shkallë globale, a mund të na tregoni çfarë efekti do të kenë ato në Shqipëri?

Rritja e nivelit të detit: Një pjesë e madhe e Ultësirës Perëndimore do të jetë nën ujë në Shqipëri brenda vitit 2050. Duke parë që masat e marra janë të papërfillshme, dhe mungesë e masave të mësipërme, atëherë pritet që brenda 2050-ës të humbasim një pjesë të Durrësit e Vlorës, qytete ku pjesët kodrinore do të kthejnë në ishuj Shëngjinin, Divjakën, Karavastanë, Nartën, Patokun, Kunen, Velipojën etj. Pothuajse të gjitha portet e vendit do të përmbyten. Me qindra-mijëra shqiptarë do të duhet të zhvendosen në brendësi të vendit, që do të sjellë kosto të mëdha ekonomike e shoqërore.

Bujqësia do të dëmtohet rëndë, duke ndikuar në ushqyerjen e popullatës dhe ekonominë e vendit.

Burimet ujore: Ulja e rezervave të borës në male, ulja e prurjeve të lumenjve, rënia e nivelit të ujërave nëntokësorë, do të sjellin mungesë të ujit të pijshëm në verë dhe mungesë të ujit për bujqësi.

Energjia: Prodhimi i energjisë nga uji do të vihet në vështirësi të mëdha, gjë që shihet në vitet e fundit.

Shëndetësia: Temperaturat tepër të larta, valët e të nxehtit me periudha të gjata, rënia e cilësisë së ujit të pijshëm dhe mungesa e ujit të pijshëm, do të sjellin pasoja të rënda shëndetësore në popullatë.

Pyjet: Zvogëlimi i sipërfaqeve pyjore si pasojë e thatësirave, temperaturave, zjarreve dhe përmbytjeve e rrëshqitjeve.

Fauna: Zhdukja e një pjese të faunës si pasojë e mosarritjes së emigrimit më në veri apo trysnisë më të madhe nga njeriu.

z. Haxhiraj, në ç’masë është ndërgjegjësimi i publikut në vendin tuaj lidhur me këtë çështje?

Nuk e dimë këtë gjë, pasi do të duhej një matje për ta parë, por nga sa kemi parë në intervista, debate në TV, dhe seminaret që kemi zhvilluar, publiku, sidomos ata të moshave mbi 30 vjeç janë fare pak të ndërgjegjësuar, duke jetuar në një ‘terr’ informativ.

Cili është roli i Shqipërisë në luftën kundër ndryshimeve klimatike?

Roli është shumë i madh pasi vendi ynë do të jetë vendi më i prekur në Ballkan nga ndryshimet klimatike, dhe një ndër më të prekurit në Evropë. Gjithsesi, për frymë, shqiptarët japin kontributin e tyre global, me anë të fabrikave të çimentos, transportit e konsumit të madh të mishit – ky i fundit vjen kryesisht nga Brazili ku atje po djegin Amazonën për kullota për lopë. Shqipëria mund të ndikojë shumë në prodhimin e energjisë së blertë, si energjia diellore pasi është shumë e pasur me energji diellore, por që fatkeqësisht nuk e përdor as për vete.

Ju keni kërkuar që Shqipëria të adaptojë Marrëveshjen e Gjelbër. Cilat janë përfitimet e saj?

Shqipëria në konceptin jo thjesht shtetëror por kombëtar, do të fitonte shumë. Do të kishim një jetë më të mirë e më të shëndetshme, do të ishim më të pasur, e njëkohësisht më demokratik, të lirë e miqësorë me jetën.

Shqipëria me një marrëveshje të gjelbër do të kishte energji që nuk e shkatërron jetët e njerëzve dhe mjedisin, do të kishte qytete që mbrohen nga futja e detit në to, do të kishte ajër të pastër e të shëndetshëm e transport të shpejtë e efikas, do të kishte ujë të mjaftueshëm e gjelbërim, do të kishte bujqësi të shëndetshme për ne e për fëmijët tanë.  

A ka interesim nga shoqëria shqiptare për projektet e energjisë së rinovueshme?

Ka shumë interesim, por nga ana tjetër ka padituri si te njerëzit ashtu dhe te shteti, frikë dhe interesa për ta penguar nga forca që kërkojnë shitjen e lëndëve fosile.

z. Haxhiraj, nga çfarë është i kërcënuar biodiversiteti në Shqipëri?

Nga aktiviteti i subjekteve të organizuara që kryejnë prerje pyjesh, shkatërrime malesh, ndotje uji e ajri, si dhe depozitimi i mbetjeve në natyrë.

Në shumë lista të ndotjes së ajrit Tirana vazhdon të gjendet shpeshherë në krye të tyre. Sipas jush kë konsideroni si shkaktarë të kësaj ndotjeje?

Shkaktar kryesor janë fabrikat rreth e rrotull Tiranës e bile edhe brenda në Tiranë që vjellin tym çdo natë, si dhe cilësia e keqe e naftës e mospasja e një transporti publik cilësor.

Një problem tjetër është edhe përdorimi i pesticideve në Shqipëri, që është po ashtu një ndotës i madh. Sa është punuar në zëvendësimin e tyre me lëndë organike?

Shumë pak. Në fakt fermerët në Shqipëri përdorin në përgjithësi më shumë plehra kimikë e pesticide se mesatarja e BE-së, dhe kjo vjen nga padituria, duke menduar se sa më shumë helm t’i hedhësh, aq më mirë do të rritet, kur në fakt është metoda sesi i rrit bimët që ndikon në uljen e dëmtuesve, pasi gjithmonë do të dalin dëmtues të rinj që do të përballojnë sasitë e rritura të helmit.

z. Haxhiraj, ju jeni drejtor të Institutit të Politikave Mjedisore, a mund t’i njoftoni lexuesit e motilokal.com se çfarë merret kjo organizatë? 

Objektivi ynë është një mjedis më i shëndetshëm në Shqipëri, ruajtje e biodiversitetit, dhe kriza klimatike. Së fundmi, objektivi ynë kryesor është lufta ndaj krizës klimatike në Shqipëri, pasi siç e thashë, vendi rrezikon më të keqen në 10-20 vitet e ardhshme, nëse nuk veprojmë tani. /Motilokal.com