Si të ushqehemi shëndetshëm gjatë Ramazanit?

Si të ushqehemi shëndetshëm gjatë Ramazanit?

Nga dita e enjte 23 mars të gjithë besimtarët muslimanë fillojnë agjërimin e muajit të Ramazanit nga lindja e deri në perëndim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimi dhe pijet.

Agjërimi i muajit të Ramazanit, respektivisht abstenimi nga ushqimet dhe pijet, përveç anës shpirtërore sjell me vete edhe një mori efektesh pozitive shëndetësore.

Edhe pse bazë e agjërimit është mosngrënia, kjo nuk do të thotë që të injorohet ngrënia, meqë gjatë muajit të Ramazanit, një 24-orësh është i ndarë mes konsumit dhe jokonsumit ushqimor.

Se cilat janë ushqimet më të shëndetshme që duhet t’i konsumojmë gjatë muajit të Ramazanit, na tregon nutricisti, hemtaologu dhe pediatri, Dr. Ismail Lutolli.

Ushqimi për iftar

• Duhet të përdorim ushqim që tretet lehtë dhe shpejtë, ndërsa për syfyr ushqim që përpunohet ngadalë.

• Duhet patjetër të kemi edhe një vakt në mes iftarit dhe syfyrit.

• Nuk kemi nevojë të konsumojmë në iftar sasi të dyfishuar të ushqimit, pasi në këtë mënyrë do të ngarkojmë tërë organizmin duke filluar nga lukthi, mëlçinë, zemrën etj. Pra, sasia e ushqimit duhet të jetë sa për një vakt normal.

• Ushqimin duhet ngrënë ngadalë dhe duhet përtypur mjaftueshëm.

• Duhet të konsumojmë ushqime të pasura me vitamina dhe minerale, pemë dhe perime, në veçanti ato sezonale.

• Ka shumë rëndësi marrja e sasive të mjaftueshme të ujit por jo përnjëherë, pra herë pas here pasi kjo është mënyra me e drejtë e përthithjes nga organizmi, qelizat.

• Agjërimi duhet të ndërpritet në iftar me hurma dhe një gotë ujë në të cilën do ishte mire të kishte të shtrydhur disa pika nga lëngu i limonit.

• Ata që praktikojnë ritualin e faljes së namazit, do të ishte mire që pasi kanë ngrënë dy hurme dhe kanë pirë një gotë ujë, të vazhdojnë me faljen (namazin) e pastaj të rikthehen për ushqim. Të tjerët që nuk praktikojnë faljen, është mirë që pasi të kenë ngrënë hurmën dhe një gotë ujë të pushojnë për pak min dhe pastaj vazhdojnë me ndonjë pemë (por pa kore).

• Pastaj mund të vazhdojnë me supë, e këshilluar do ishte që supa të përgatitej në shtëpi.

• Pas një pauze mund të hani ushqimin kryesor (mish i zier mirë apo lehtësisht i përpunuar, peshk, patate, oriz, sallatë e freskët, perime.

• Mund të përdoren edhe ndonjë nga frutat e thata si kumbulla, fiq, kajsi, rrush pasi kanë fibrat dhe nutrientë të ndryshëm në përmbajtje.

• Pas ngrënies së iftarit dhe pushimit do të ishte mire të praktikoni ecjen në natyrë për së paku 45 min. Ata që falen nuk kanë nevojë për këtë ecje pasi rituali i faljes së namazit (teravive) përmban përpos anës shpirtërore edhe aktivitet fizik të theksuar.

Vakti i ndërmjetëm mes iftarit dhe syfyrit

• Në mes iftarit dhe syfyrit duhet të merrni një vakt apo një racion të lehtë.

• Ushqimet që preferohen për këtë vakt janë: sallatë të pemëve, sallatë me mish pule, mund të përdorni edhe kafe me ëmbëlsira të përgatitur në mënyrë të shëndetshme.

Ushqimi për syfyr

• Syfyri nuk duhet neglizhuar asnjëherë, pra duhet ngrënë në kohën e caktuar dhe duhet respektuar si një vakt i rëndësishëm i ushqimit.

• Syfyri duhet të jetë ushqim cilësor si: drithëra dhe makarona integral, arra, fruta me misër, fruta të thata, perime, ushqime bishtajore, peshk, mish, kos me fruta të ndryshme, supë me thjerrëza ose bizele, djathë, vezë, vajra me cilësi të lartë.

• Pas mbarimit të syfyrit pihet edhe një apo dy gota ujë dhe ju jeni të përgatitur për agjërimin e ditës në vijim.

Ushqimet që duhet të evitohen gjatë muajit Ramazan

• Përdorimi i shpeshtë i kafes dhe çajit të zi;

• Ushqime të skuqura, ushqime të përgatitura shpejt dhe në mikrovalë;

• Ushqime me përmbajtje të lartë të yndyrave, ushqimet shumë aromatike;

• Ëmbëlsirat e shumta si bakllava, torte dhe ngjashëm;

• Pijet e gazuara apo edhe ato të ëmbëlsuara me sheqer duhet të shmangen (në vend të hidratimit, ata bëjnë të kundërtën).

/Motilokal.com