U rrezikuan 300 pasagjerë, dy aeroplanë shpëtojnë për ‘një fije floku’ të përplasen në nënqiellin e Kosovës

U rrezikuan 300 pasagjerë, dy aeroplanë shpëtojnë për ‘një fije floku’ të përplasen në nënqiellin e Kosovës

Një tragjedi është shmangur në sekondat e fundit apo siç thotë një shprehje për ‘një fije floku’ në hapësirën ajrore të Kosovës.

Më datën 24 shkurt të këtij viti, 300 pasagjerëve u është rrezikuar jeta e tyre, kur aeroplanët në të cilët po udhëtonin, ishin duke u përplasur mes vete.

Rreth orës 15:30 në hapësirën mbi Ramoc të Gjakovës në datën e sipërpërmendur, aeroplani i linjës Prishtinë-Malmo i operatorit “Trade Air”, për pak sa nuk u përplas me aeroplanin e linjës që vinte nga Dyseldorfi, që operohej nga kompania bullgare “GP Aviation”.

Burime të “Kiks Kosovës” bëjnë të ditur se Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror nuk e kishte vërejtur se dy aeroplanët ishin duke shkuar në drejtim të përplasjes.

Por këtë e kuptuan nga një telefonatë nga “Alb Kontrolli i Shqipërisë”, të cilët alarmuan kolegët nga Kosova se diçka nuk ishte në rregull me aeroplanët e linjës “GP Aviation” nga Bullgaria dhe “Trade Air” nga Kroacia.

Të gjendur nën habi para këtij fakti, kontrollorët që nuk kishin vërejtur se aeroplanët po ecnin në trajektore të njëjtë, u vonuan dhe nuk reaguan.

Por aksidenti fatmirësisht u shmang falë sistemit të radarit brenda aeroplanit, TCAS, i cili aktivizohet vetëm në rastin kur aeroplanët shkojnë drejt përplasjes.

Ky sistem alarmi ka tre njoftime, një ndezët në largësinë prej 1000 feet (304.8 metra), i dyti në 800 feet (243.84 metra) dhe i fundit, i cili në fakt u ndez në këtë rast dhe që ndizet vetëm në shkallën më të rrezikshme afër përplasjes, pra kur aeroplanët ndodhen në largësi prej 600 feet (182.88 metra), raporon Klan Kosova.

Me gjithë kaosin e shkaktuar në pasditen e së premtes së 24 shkurtit, punëtorët e Kullës në Prishtinë heshtën.

Burime të Kiksit brenda institucioneve të Aviacionit bëjnë të ditur se rasti u tentua të fshihej, për faktin se atë natë në kullë si kontrollor ishte i biri i një ish- komandanti të UÇK-së nga zona e Llapit, i konsideruar si i fortë brenda ASHNA-s, pasi është edhe nip i një deputeti aktual të PDK-së.

AShNA ua ka ndaluar dy kontrollorëve A.Sh. dhe F.L., që ushtrojnë detyrat e tyre si kontrollorë, deri në përfundimin e hetimit të këtij incidenti.

Kiksi ka kontaktuar drejtorin e Aviacionit Civil, Bujar Ejupin për këtë çështje, i cili e ka konfirmuar rastin, duke theksuar se ka kuptuar për incidentin 3 ditë pas rastit.

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike tashmë ka nisur hetimet për rastin.

Kiks Kosova ka siguruar vendimin, i cili obligon institucionet e aviacionit për të siguruar të gjitha faktet për të hetuar rastin. Në vendim thuhet se me faktet e siguruara deri më tani ka bazë të mjaftueshme për të nisur hetime për faktin se është rrezikuar siguria e aviacionit civil.

Vendimi ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, më 17 mars 2023.

Ndërsa Kiks ka vazhduar me hulumtimin për të gjetur fajtorin e këtij incidenti.

Burime të Kiks Kosovës brenda Ministrisë së Infrastrukturës, kanë bërë të ditur se KHAIA ka kërkuar përkrahje edhe nga vet ministri Liburn Aliu, në mënyrë që hetimet të realizohen në mënyrë të pavarur dhe në të gjitha institucionet.

Në shkresën që Kiks-i e ka parë, vihet në pah edhe një fakt shqetësues. KHAIA vë në dukje se incidenti i fundshkurtit nuk ishte i pari, por i treti brenda një periudhe të shkurt kohore.

“Ju përkujtojmë se për herën e tretë është duke ndodhur incidenti i njëjtë i aktivizimit të TCAS-RA edhe ne konsiderojmë që mund të ketë rrezikim të Sigurisë së Aviacionit Civil në Republikën Kosovës”, thuhet në shkresën e KHAIA-s drejtuar Ministrisë.

Pas ministrit, Komisioni për hetimet Ajror ka kthyer drejtimin edhe kah Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, duke kërkuar nga ta një mori dokumentesh.

Kërkesat e KHAIA kanë të bëjnë më tepër me atë nëse AAC ishte duke monitoruar Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, e cila është përgjegjëse për hapësirën e ultë ajrore në Kosovë.

Ata i kërkuan Autoritetit të Aviacionit Civil që t’ua siguronte lejet e fluturimit për tre fluturaket e përfshira në rast, licencat e kontrollereve dhe vlefshmërinë e tyre, si dhe inspektimet e rregullta të Inspektorëve të AAC në ASHNA duke përfshire numrin e kontrollereve gatë ndërrimit si dhe dokumente relevante që mund të ndikojë në përkrahje të hetimit.

Ndërkaq edhe nga Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës ka kërkuar një mori dokumentesh.

Në hetimet e KHAIA-s është përfshirë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si dhe shteti i Bullgarisë dhe Kroacisë nga vinin aviokompanitë që u përfshinë në incidentin e 24 shkurtit.

Derisa nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka kërkuar vetëm të dhënat mbi fluturimet e tre aeroplanëve të përfshirë në ndodhinë ku përfshihet aprovimi i SLOT-it, numrin e pasagjerëve si dhe ngarkesën.

Ndërkohë që ka njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit që të jetë e gatshme për të nisur një hetim më të gjerë për rastin.

Sipas njoftimeve që “Kiks” ka marrë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, thuhet se KAIA i ka dërguar një letër edhe kryeprokuroit Kujtim Munishi, ku theksohet edhe fakti se është hera e tretë që po rrezikohet siguria e aviacionit civil të Kosovës.

Sipas informacioneve që ka “Kiks Kosova”, një tjetër incident i këtij lloj ndodhi fundvitin e 2022, hetimet e të cilit janë në përfundim e sipër.