Balluku: Diversifikim i burimeve energjetike për t’u kthyer në vend eksportues energjie

Balluku: Diversifikim i burimeve energjetike për t’u kthyer në vend eksportues energjie

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur se qeveria ka tashmë strategjitë që do ta bëjnë vendin eksportues neto të energjisë brenda vitit 2030.

Në fjalën e saj në Kuvend, teksa po diskutohet pr/ligji për energjinë e rinovueshme, Balluku theksoi se investimet e kryera deri tani e kanë çuar nivelin e humbjeve teknike në rrjet në 19.7 %, në vitin 2022.

Balluku tha se qeveria shqiptare synon që deri më në 2030 Shqipërinë ta bëjë një vend eksportues neto dhe jo një vend importues.

“Varësia nga importet ishte e lartë se u vendos që një pjesë e mirë e HEC të jepej në shkëmbim të TVSH në atë kohë. Sot ndërsa blejmë në import energjinë e prodhuar nga një pjesë e HEC për ti shërbyer këtij vendi e përdorin kompani që e kanë privatizuar totalisht pa të drejt. Plani i madh konsistonte vetëm në privatizimin e HEC shtetërore dhe në ngritjen e HEC të vogla pa studim duke i hequr ujin e pijshëm, apo ujin që përdorej për bujqësinë të gjithë fshatrave, dhe duke i hyrë në hak, nga mëngjesi në darkë shqiptarëve.

Por qeveria Rama i ka bërë të gjitha ndryshe. Pikë së pari, ne kemi një strategji të mirëfilltë të zhvillimit të sektorit energjetike e që në 4 vitet e fundit, tashmë ka marrë jetë dhe është diversifikimi i burimeve të energjisë. Nuk bazohemi as te vërejtjet e portaleve të paguara, as te insinuatat e opozitarëve të përfshirë në sektorin energjetik, por bazohemi në studimet e mirëfillta në direktivat e BE-së e sekretariatit të energjisë, dhe mbi të gjitha në të mirën e vendit.

2022 na ka treguar edhe një herë që sot siguria energjetike është prioritare, që energjia po përdoret si një armë kundër BE, kundër SHBA dhe këtë e parë qartazi, siç kemi parë edhe një gjë tjetër qartazi në 2022, qeveria përmes një mirëmenaxhimi të kaskadës së Drinit,  pavarësisht një dimri shumë të thatë, përmes një mirëmenaxhimi edhe të importeve ia dolëm që të ofronim shërbim të pandërprerë për qytetarët tanë e mbi të gjitha një shërbim që nuk njohu as edhe një qindarkë rritje. Pavarësisht se çfarë u tha gjatë 2022, dezinformime për të krijuar panik te njerëzit, por asgjë nuk ndodhi. Dhe ne treguam se jemi një qeveri që dimë të menaxhojmë krizat, siç bëmë me pandeminë, me tërmetin, apo edhe me krizën energjetike.

Për t’u kthyer te pr/ligji. Ne me anë të një strategjie të mirëstudiuar synojmë që në 2029 të krijojmë kapacitete të reja shtesë, të prodhimit me 4 teravat nga prodhimi i sotëm. Duke e bërë Shqipërinë një vend eksportues neto dhe jo një vend importues. Pavarësia energjetike e Shqipërisë është një prioritet i qeverisë Rama dhe mbi të gjitha pavarësia energjetike e Shqipërisë do të jetë edhe një pavarësi energjetike për rajonin”, u shpreh ndër të tjera Balluku.

/Motilokal.com