Eksperti i trafikut rrugor: Aksidentet në rritje, ndër shkaktarët kryesorë faktori njeri

Eksperti i trafikut rrugor: Aksidentet në rritje, ndër shkaktarët kryesorë faktori njeri

Jetë njerëzish po shuhen qoftë për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë, kushteve të rrugës, apo arsyeve të tjera. Aksidentet rrugore vijojnë t’i përgjakin rrugët e Kosovës. Pothuajse çdo ditë ndodhin aksidente dhe shpeshherë ato përfundojnë me fatalitet. Për këtë fajtori kryesor mbetet njeriu, i cili është shkaktar i mbi 80% të rasteve të aksidenteve në komunikacion.

Aksidente me dëme materiale, me të lënduar e deri tek ata që morën jetë, janë raportuar vazhdimisht nga Policia e Kosovës. Madje nga viti në vit në Kosovë janë shqetësuese shifrat e aksidenteve që po ndodhin në rrugët e vendit.

Në raportin e Policisë së Kosovës për vitin 2022 janë regjistruar mbi 20 mijë aksidente në total, ku kanë humbur jetën 106 persona. Ndërsa me lëndime janë shënuar rreth 14714 persona.

Edhe viti 2023 filloi me statistika të frikshme. Vetëm në janar janë regjistruar rreth 1549 aksidente, duke shuar 5 jetë. Në këtë vit nga aksidentet kanë mbetur të lënduar rreth 1219 persona.

Për t’na njohur më shumë rreth shkaqeve të aksidenteve, Motilokal.com realizoi një intervistë me Prof. Dr. Sc. Muhamed Krasniqi, drejtor i akademisë “Tempulli” dhe ekspert i trafikut rrugor.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Kohët e fundit po ndodhin shumë aksidente rrugore, të cilat shpesh po përfundojnë me fatalitet. Sipas jush, cilat janë arsyet?

Aksidentet në trafikun rrugor nuk shkaktohen vetvetiu, por janë disa arsyeje që i paraprijnë këtyre ngjarjeve. Mbi bazën e hulumtimeve të deritashme në këtë fushë, del se faktori njeri është shkaktari kryesor dhe më dominant i aksidenteve në trafikun rrugor. Ndërsa faktori “mjet” dhe “rrugë” merr pjesë më pak numerikisht në shkaktimin e aksidenteve rrugore. Pas këtyre tre shkaktarëve, pastaj mund të renditen edhe kontribuuesit e tjerë të aksidenteve.

Profesor Krasniqi, a mund të na tregoni sa janë të sigurta rrugët në Kosovë, si në aspektin infrastrukturor dhe sa janë të pajisura me shenja të sigurisë?

Rrjeti rrugor i Kosovës kryesisht është ndërtuar rishtazi. Rrjedhimisht, ky rrjet është në gjendje solide, por gjithmonë ka vend për përmirësimin e mëtutjeshëm të standardeve, të cilësisë dhe sigurisë. Autostradat në Kosovë ndoshta janë më të mirat në rajon. Ne profesionistët e fushës duhet të ofrojmë kontributin tonë profesional brenda mandatit ligjor të institucioneve përkatëse që këto rrugë të mos duken vetëm të bukura, por t’jua shtojmë edhe segmentin e sigurisë maksimale në përdorim. Kosova tani ka edhe trupin kombëtar për vlerësimin e sigurisë rrugore KosovoRAP, që përmes Asociacionit Kosovar të Motorizimit AMRKS është anëtare e EuroRAP/iRAP ndërkombëtar. Kosova nuk ka shumë mungesë të shenjave sa ka mungesë të respektimit të këtyre shenjave ekzistuese në rrugë.  

Sa ndikojnë kushtet atmosferike në aksidentet rrugore? 

Natyrisht që edhe kushtet atmosferike mund të kontribuojnë në (mos)ndodhjen e aksidenteve në trafik. Pra, te kushtet atmosferike fokusi kryesor është njeriu i cili shpeshherë për shkak të mungesës se kujdesit të duhur gjatë ngasjes, mungesës se vigjilencës, mos njohurive apo edhe neglizhencës, karshi gjendjes së rrugës mund të shkaktojë aksident. 

Edhe pse patëm një dimër të butë, sa i kushtojnë ngasësit rëndësi pajisjeve dimërore apo sa janë të sigurta veturat në aspektin teknik gjatë kushteve të rënduar atmosferike si në shi, mjegull, ngrica, borë dhe erëra të forta?

E vërtetë që dimri i sivjetmë ishte me i lehtë në raport me dimrat e viteve të shkuara, por fatkeqësisht edhe ky dimër mori jetë të qytetarëve si pasojë e aksidenteve në rrugë. Kushtet atmosferike mund të ndikojnë edhe te automjetit dhe gjendja e sipërfaqes rrugore, por edhe të reshurat atmosferike (bora, shiu, era, mjegulla), etj.  

Sa është i përgatitur një shofer/e i ri për ta drejtuar veturën. A po merren lejet me ‘dallavere’ dhe a i mbajnë të gjitha orët, ligjëratat në autoshkolla? 

Bazuar në statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës për vitin 2022, nga numri përgjithshëm i aksidenteve me fatalitet në vend, 33% e aksidenteve të tilla kategorizohen si vetaksidente. Kjo shifër kaq e madhe (gati 1/3 e të gjitha aksidenteve me fatalitet), lë mundësitë që krahas arsyeve të tjera për këto aksidente të mbetet edhe mungesa e njohurive të rregullave dhe shenjave të trafikut rrugor si dhe mungesa e shkathtësive të nevojshme në drejtimin e mjeteve motorike. Unë i bashkohem kërkesës globale të vitit të kaluar për Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikun Rrugor WDoR2022, ku kërkohet hetim i plotë i aksidenteve rrugore. 

A ka Kosova strategji kombëtare për sigurinë rrugore dhe sipas jush çfarë duhet bërë në këtë drejtim? 

Nga ajo që unë kam arritur të kuptoj, Ministria e linjës dhe qeveria e vendit tashmë kanë arritur te një draft përfundimtar të një strategjie të tillë në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Transportin Multimodal. Ndoshta është mirë që për këtë çështje të drejtoheni në Ministrinë përkatëse.

Nga optika e një eksperti rrugor siç jeni ju, sa po e kryen detyrën Policia e Kosovës në parandalimin e aksidenteve, qoftë përmes shqiptimit të tiketave, apo aktiviteteve vetëdijesuese?

Policia e vendit vazhdueshëm ndër vite është institucioni kryesor që mund t’i atribuohet niveli sigurisë rrugore. Policia e Kosovës është mjaft bashkëpunuese në secilin aktivitet që ka për qëllim sigurinë e lëvizjes të gjithë pjesëmarrësve në rrugë.

Çfarë propozoni ju në mënyrë që të ulet ky fenomen i kobshëm? 

Bashkërendimi i aktiviteteve për sigurinë në rrugë është i domosdoshëm, por akoma nuk mund të hartohen plane të veprimit përderisa nuk kemi asnjë strategji kombëtare sa i përket sigurisë në rrugë. Akoma kjo çështje nuk është vendosur në agjendën e institucioneve qeveritare si një çështje që kërkon trajtim të veçantë. Kjo temë ka qenë, është dhe duhet të mbetet kryetemë, sepse prek sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve dhe ka ndikim jashtëzakonisht të madh në gjendjen psikologjike dhe terapeutike të të gjithë aksidenteve, por edhe në sferën e sigurimeve dhe aspektet e tjera ekonomike.

/Motilokal.com