Kush është fajtori i incidentit të dy aeroplanëve në hapësirën ajrore të Kosovës?

Kush është fajtori i incidentit të dy aeroplanëve në hapësirën ajrore të Kosovës?

Një tragjedi është shmangur në sekondat e fundit apo siç thotë një shprehje për ‘një fije floku’ në hapësirën ajrore të Kosovës.

Më datën 24 shkurt të këtij viti, 300 pasagjerëve u është rrezikuar jeta e tyre, kur aeroplanët në të cilët po udhëtonin, ishin duke u përplasur mes vete.

Rreth orës 15:30 në hapësirën mbi Ramoc të Gjakovës në datën e sipërpërmendur, aeroplani i linjës Prishtinë-Malmo i operatorit “Trade Air”, për pak sa nuk u përplas me aeroplanin e linjës që vinte nga Dyseldorfi, që operohej nga kompania bullgare “GP Aviation”.

Për t’u njoftuar më në detaje dhe deri ku kanë arritur, apo po hulumtohet ngjarja, Motilokal.com ka hulumtuar, duke kërkuar përgjigje nga Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror, Aviacioni Civil dhe nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Kosovës.

Vetëm nga Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës (ASHNA) kemi marrë përgjigje, duke theksuar se kjo ngjarje është nën hetim.

“Lidhur me ngjarjen, Ju njoftoj se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe sipas procedurave dhe standardeve të përcaktuara me rregulloret në fuqi, rasti është duke u hetuar dhe deri në përfundimin e hetimeve, nuk mund të japim konstatime apo ta paragjykojmë shkaktarin (fajtorin) e kësaj ngjarje”, thuhet në përgjigjen me email për Motilokal.com.

Ndërsa nga Aviacioni Civil dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike nuk kemi marrë përgjigje, por që edhe këta na lënë të kuptojmë se kjo ngjarje është duke u hetuar.

Motilokal.com do ju mbajë të informuar lidhur më këtë ngjarje.

/Motilokal.com