Agjërimi i muajit të Ramazanit, respektivisht abstenimi nga ushqimet dhe pijet, përveç anës shpirtërore sjell me vete edhe një mori efektesh pozitive shëndetësore.
Shumë persona që agjërojnë merren me aktivitete fizike. Por, a duhet stopuar aktiviteti fizik gjatë këtij muaji?
Sipas ekspertëve të edukatës fizike dhe asaj mjekësore vazhdimi i lëvizjes gjatë agjërimit rekomandohet shumë. Fiziologjikisht, përfshirja në aktivitete të rregullta fizike mbështet veçanërisht mirë periudhën e agjërimit, pasi ndihmon në forcimin e muskujve, parandalon ngurtësimin, jep një ndjenjë vitaliteti dhe mbështet metabolizmin e përgjithshëm.
Në një intervistë të dhënë për motilokal.com të mjekut dhe nutricisti sportiv, Agron Rexhepi thotë se ecja e shpejtë, zgjatja e muskujve dhe ushtrimet e lehta tonifikuese janë aktivitete fizike të preferuara për agjëruesin.
“Ecja e shpejtë, zgjatja e muskujve dhe ushtrimet e lehta tonifikuese janë aktivitete fizike të preferuara për agjëruesin. Aktivitetet fizike mund të bëhen në çdo kohë të ditës, por më e preferuar është që të bëhen para iftarit (përfundimi i aktiviteteve fizike të bëhet afërsisht 20 – 30 minuta para iftarit)”, thekson nutricisti Rexhepi.
Tutje ai tregon kohën e duhur për ushtrime më intensive dhe përmend se agjërimi nuk ka ndikim negativ në performancat e sportistëve.
“Ndërsa ushtrimet më intensive të bëhen pas iftarit. Hidratimit duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Ndërkaq, agjërimi si agjërim sipas hulumtimeve të FIFA-së nuk ka ndikim negativ në performancat e sportistëve. Për agjëruesit që nuk janë sportistë, duhet patur parasysh që gjatë kohës së agjërimit të mos praktikojnë jetën pasive, por gjithsesi jeta e tyre të fizikisht aktive, të paktën ajo më e vogla që mund të bëhet është zgjatja e muskujve dhe shumë e preferuar është ecja, sidomos për personat me mbipeshë dhe kjo ecje preferohet 1 deri 2 orë para iftarit”, u shpreh mjeku Rexhepi.
/Motilokal.com
