Parisi voton për ndalimin e skuterëve elektrikë

Parisi voton për ndalimin e skuterëve elektrikë

Parisienët votuan për ndalimin e marrjes me qira të skuterëve elektrikë në qytetin e tyre, duke i dhënë kështu një goditje të fortë operatorëve të këtyre pajisjeve, e duke i dhuruar triumfin aktivistëve të sigurisë rrugore.

Pothuajse 90% e votave të hedhura të dielën favorizonin ndalimin e pajisjeve me bateri, treguan rezultatet zyrtare. Referendumi u mbajt si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të numrit të personave të lënduar apo edhe të vrarë teksa gjatë lëvizjeje me e-skuter në kryeqytetin francez.

Nga 1.38 milionë njerëz që figurojnë në regjistrin zgjedhor të qytetit, pak më shumë se 103,000 morën pjesë në votim, e nga këta mbi 91,300 u shprehën kundër skuterëve. Parisi ishte një nga qytetet e para që i dha dritën jeshile këtyre mjeteve elektrike, por kritikët argumentojnë se ato po bëjnë më shumë dëm sesa mirë.

Një shqetësim i madh ka rrethuar mënyrën sesi disa njerëz i përdorin skuterët, duke u endur nëpër trafik e duke rrezikuar këmbësorët edhe në trotuare teksa shpejtësia e tyre mbërrin deri në 27 km/h). Në vitin 2021, një 31-vjeçare italiane humbi jetën në kryeqytetin francez pasi u godit nga një skuter elektronik që mbante dy persona. Ajo u rrëzua dhe përplasi kokën në trotuar.

Ankesa ka pasur edhe për faktin se përdoruesit e skuterëve shpeshherë nuk i mbajnë mbrojtëset e kokës, ndërsa sipas ligjit, këto pajisje mund të merren me qira edhe nga fëmijë 12 vjeç.

/Motilokal.com