Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri: Kanionet e Osumit janë shumë unike me ujëvara mbresëlënëse

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri: Kanionet e Osumit janë shumë unike me ujëvara mbresëlënëse

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber sot së bashku me familjarë dhe miq ishte pjesë e skuadrës së Albania Rafting Group duke eksploruar për herë të parë Kanionet e Osumit.

Gjatë rafting prej 12 km në kanionet e Osumit ajo magjepset nga madhështia e tij, ujëvarat e shumta  dhe shpatet e gjelbëruara.

Ambasadorja Ruth Huber u shpreh: “Kanionet e Osumit janë shumë unike dhe ujëvarat mbresëlënëse. Nuk e imagjinoja të ishte kaq i bukur dhe të kishte një ekosistem kaq të pasur. Unë do ta promovoj fort rafting në kanionet e Osumit dhe shumë miq dhe kolegë do të vijnë për ti eksploruar pasi kjo experiencë nuk duhet humbur. Stafi juaj dhe organizimi ishin shumë profesional”.

“Zvicra është një kontribuuese e rëndësishme në Shqipëri në projekte që lidhen me rritjen e punësimin të të rinjve,zhvillimin e qëndrueshëm rural, zhvillimin e sipërmarrjeve, demokracinë dhe decentralizimin në qeverisjen vendore”.

Projekti i Ambasadës Zvicerane  “Risi Albania” ka mbështetur Federatën Shqiptare të Rafting  e cila me projektin e saj “Albanian Adventure Resort” ka fituar Green Apple Award, Gold prize, në vitin 2015 në Skoci mes 500 projekteve nga e gjithë bota si ideja më innovative dhe projekti që jep zgjidhje ideale mjedisore. Plan i Biznesit u realizua në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë të “Dunira Strategy” dhe u mbështet nga projekti Risi Albania i Ambasadës së Zvicrës.

Albanian Adventure Resort është një ndërmarrje inovative e turizmit të aventurës, miqësore me mjedisin që synon të nxisë ekonominë vendase përmes turizmit dhe dashurisë për natyrën. Ai gjithashtu synon të ofrojë një parajsë të bukur për të gjithë entuziastët e udhëtimeve të aventurës. AAR do të shërbejë si qendër shumë sportive që do të ofrojë aktivitete dhe programe edukimi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. Misioni i AAR-së është “Të transformojmë jetët duke festuar më të mirat e Shqipërisë”.

Gjithashtu, Ambasada Zvicerane, nëpërmjet “Lëviz Albania” kanë  kontribuar në mbrojtjen e Kanioneve të Osumit si Monument i Natyrës. 

/Motilokal.com