Vazhdon furnizimi me ngrohje në Prishtinë

Vazhdon furnizimi me ngrohje në Prishtinë

Termokos përmes një komunikate ka njoftuar se furnizimi me ngrohje vazhdon edhe pas përfundimit të kohës së paraparë 15 prill, për shkak të temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në Kosovë.

“Termokos ka përcjellë me kujdes temperaturat e ajrit ditëve të fundit dhe duke u bazuar në parashikimet meteorologjike për ditët në vijim, ka marrë vendim, që furnizimi me ngrohje për rreth 20 mijë konsumatorë të vazhdojë edhe pas 15 prillit”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se bazuar në kërkesën e Kryeshefit Ekzekutiv, Fisnik Osmani vazhdimi i furnizimit me ngrohje është miratuar unanimisht nga Bordi i Drejtorëve të Termokos dhe është në koordinim të plotë me KEK-un.

“Zgjatja e sezonit ngrohës 2022/2023 është në harmoni të plotë edhe me “Rregullën për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji” të ZRRE-së, sipas të cilës ndërmarrja mund të vazhdojë furnizimin e jashtëzakonshëm me ngrohje pas afatit të zakonshëm ligjor për përfundimin e sezonit ngrohës, në rastet kur sipas parashikimeve meteorologjike nuk janë përmbushur kushtet klimatike për të ndërprerë furnizimin me ngrohje. Furnizimi me ngrohje ditëve në vazhdim do t’iu përshtatet lëvizjes së temperaturave të ajrit dhe do të vazhdojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

/Motilokal.com