Raketa Starship e SpaceX, më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë, merr miratimin e qeverisë për lëshim

Raketa Starship e SpaceX, më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë, merr miratimin e qeverisë për lëshim

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Administrata Federale e Aviacionit, FAA, miratoi të premten një licencë të shumëpritur nga themeluesi i kompanisë SpaceX, Elon Musk.

Agjencia federale i dha dritën gjelbër firmës SpaceX që të lëshojë për herë të parë në orbitë raketën Starship, duke hapur rrugën për një fluturim provë, vendimtar për synimet hapësinore të kompanisë.

“Pas një procesi gjithëpërfshirës për licencimin, FAA doli në përfundimin se SpaceX i përmbush të gjitha kërkesat për sigurinë, mjedisin, rregulloret, ngarkesën, integrimin hapësinor dhe përgjegjësitë financiare”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të premten nga FAA, duke shtuar se licenca është e vlefshme për pesë vjet.

Lëshimi është planifikuar të bëhet të hënën më 17 prill, shkruan në rrjetin Twitter kompania SpaceX. Raketa do të lëshohet nga qendra hapësinore e kompanisë në Boca Chica të Teksasit. Lëshimi për provën 150 minuta të gjatë mund të bëhet nga ora 5:30 e mëngjesit deri në orën 14:00, sipas orës lokale.

Raketa Starship është një sistem transporti plotësisht i ripërdorshëm i ndërtuar për të transportuar ekuipazhin dhe ngarkesën në orbitën e Tokës, për të ndihmuar njerëzimin të kthehet në Hënë dhe të udhëtojë drejt planetit Mars dhe më gjerë, thuhet në faqen e kompanisë SpaceX.

/Motilokal.com