Ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu nxit thatësirat e shpejta

Ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu nxit thatësirat e shpejta

Sipas një studimi të ri, periudhat e thata të njohura si thatësira të shpejta, me një fillim çuditërisht të shpejtë dhe me ndikim shpesh shkatërrues, po bëhen më të shpeshta ndërsa aktiviteti njerëzor po ngroh planetin.

Për studimin, të botuar në revistën Science së fundmi, studiuesit analizuan një kombinim të të dhënave satelitore dhe leximeve të lagështisë së tokës nga një periudhë mbi 60-vjeçare (1951-2014).

"Të dyja thatësirat e shpejta dhe të ngadalta po rriten" ndërsa temperaturat globale rriten, tha autori kryesor Xing Yuan për agjencinë e lajmeve AFP.

Por thatësirat e shpejta po rriten më shpejt "veçanërisht në Evropë, Azinë Veriore dhe Lindore, Sahel dhe bregun perëndimor të Amerikës së Jugut", tha ai.

Megjithëse thatësirat përgjithësisht konsiderohen si fenomene afatgjata, disa mund të ndodhin krejt papritur, brenda disa javësh, kur kushtet janë të përshtatshme.

Ngrohja globale është një recetë për rritjen e atyre kushteve të veçanta në mbarë botën, duke krijuar në zona të caktuara një ulje të reshjeve dhe rritje të avullimit, gjë që e than më shpejt tokën.

Studiuesi, i bazuar në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit në Nanjing të Kinës [NUIST], paralajmëroi se fillimi i shpejtë i thatësirave të shpejta u jep njerëzve pak kohë për t'u përshtatur, si duke devijuar burimet ujore ose duke u përgatitur për zjarret.

"As bimësia nuk ka kohë të mjaftueshme për t'u përshtatur", shtoi ai.

Ekipi i Yuan përdori modelimin e klimës për të parashikuar sesi thatësirat e shpejta do të ndryshojnë sipas disa skenarëve të mundshëm të emetimit të gazit serrë.

Edhe nëse emetimet janë të moderuara, thatësirat e shpejta do të vazhdojnë të bëhen më të shpeshta në pothuajse të gjitha rajonet. Sipas skenarëve të emetimeve më të larta, tendenca do të ishte më drastike.

Yuan tha gjithashtu se të dhënat treguan një rritje të përgjithshme në shpejtësinë e fillimit të thatësirës, me ekipin e tij që gjeti një "tranzicion të fuqishëm në shkallë globale" të thatësirave të ngadalta në ato të shpejta.

"Ne besojmë se reduktimi i emetimit mund të ngadalësojë këtë tranzicion", i tha ai AFP.

'Popullsia e cenueshme'

Koncepti i thatësirës së shpejtë u shfaq në fillim të shekullit të 21-të, por ka marrë më shumë vëmendje që nga thatësira e verës 2012 në Shtetet e Bashkuara, e cila u shfaq veçanërisht shpejt dhe shkaktoi më shumë se 30 miliardë dollarë humbje ekonomike.

Një koment nga dy profesorë në Holandë, i botuar gjithashtu në revistën Science, tha se paralajmërimi i studimit "duhet marrë seriozisht" pasi kërcënimi "mund të jetë edhe më i madh se sa sugjerojnë ata".

David Walker nga Universiteti Wageningen dhe Anne Van Loon nga Vrije Universiteit Amsterdam, të cilët të dy nuk ishin të përfshirë në punën e Yuan, nënvizuan se shumica e "rajoneve të nxehta" të përcaktuara nga studimi ishin zona veçanërisht me të ardhura të ulëta.

"Këto rajone në përgjithësi kanë popullsi më të cenueshme dhe burime më të ulëta financiare për mekanizmat e përballimit", thanë ata.

Dyshja shtoi gjithashtu se metodat aktuale për zbulimin e thatësirave, shpesh analizat e të dhënave muaj pas muaji, duhet të përditësohen për të "operuar në shkallë më të shkurtra kohore", për shkak të rritjes së thatësirave të shpejta, të cilat "mund të krijojnë dhe shkaktojnë rezultate në vetëm javë."

/Motilokal.com