Vënia në funksion e gazit natyror të Detit të Zi është një hap drejt pavarësisë energjetike dhe “Bajram i dytë” për Turqinë, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Duke folur në ceremoninë e ndezjes zyrtare të flakës së parë dhe vënies në funksion të gazit natyror në Filyos të provincës Zonguldak në rajonin e Detit të Zi, Erdoğan tha se Turqia do të plotësojë gati 30 për qind të nevojës vjetore të gazit natyror nga rezerva e Detit të Zi kur të arrijë kapacitetin e plotë.
U deshën më pak se tre vjet që Turqia t’u ofronte përdoruesve gazin e zbuluar në Detin e Zi, tha presidenti turk.
“Ne do të nxjerrim 10 milionë metra kub gaz në ditë nga fusha e gazit ‘Sakarya’ në radhë të parë dhe 40 milionë metra kub në ditë në të ardhmen përmes puseve të reja të gazit që do të shpojmë”, shtoi ai.
![]()
Erdoğan tha më tej se gazi natyror i Detit të Zi jo vetëm që “do të reduktojë ndjeshëm varësinë e vendit tonë nga gazi natyror i huaj, por gjithashtu do t’i bëjë Filyosin dhe Zonguldakun qendër të rëndësishme energjetike”.
Presidenti turk njoftoi se qytetarët do ta kenë pa pagesë për 1 vit gazin natyror të përdorur për kuzhinat dhe konsumin e ujit të ngrohtë, gjegjësisht afro 25 metra kub do të zbriten nga faturat e qytetarëve, ndërsa për 1 muaj qytetarët do ta kenë pa pagesë tërësisht konsumin e gazit.
Në gusht të vitit 2020, 320 miliardë metra kub gaz natyror u zbuluan në pusin “Tuna-1” në Detin e Zi, duke e bërë atë zbulimin më të madh të gazit në vend në histori.
Me 85 miliardë metra kub shtesë të zbuluar në tetor 2020, sasia totale e rezervave të zbuluara të gazit arriti në 405 miliardë metra kub.
Pas zbulimit të 135 miliardë metrave kub në pusin “Amasra-1” në qershor 2021, rezervat e gazit të Detit të Zi arritën në 540 miliardë metra kub.
Po ashtu, 58 miliardë metra kub gaz u gjetën në dhjetor 2022 në pusin “Caycuma-1” në pjesën jugperëndimore të Detit të Zi.
Një vlerësim i pavarur kishte zbuluar se rezervat totale të gazit të vendit do të arrinin në 710 miliardë metra kub në fund të vitit 2022, me një vlerë tregu në rajon prej 1 trilion dollarësh.
/Anadolu/Motilokal.com
