Është vetëm çështje kohe para se Santorini të goditet nga një vullkan, thonë shkencëtarët

Është vetëm çështje kohe para se Santorini të goditet nga një vullkan, thonë shkencëtarët

Kudo të hedhësh sytë në Santorini, do të të vijë në mend se ndodhesh mbi një vullkan. Peizazhet mbresëlënëse, plazhet, guralecët të krijuar nga ngurtësimi i lavës.

Bukuria marramendëse e ishullit grek është e gjitha “dhuratë” e një historiku të dhunshëm vullkanik.

Ishulli u krijua në një nga shpërthimet më të mëdha vullkane që ka ndodhur 3600 vite më parë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkatërroi qytetin antik të Akrotiri-t dhe solli një goditje fatale për qytetërimin që ishte vendosur në atë zonë në atë kohë.

Sot, Santorini, i njohur gjithashtu si Thira, është ishulli më i njohur i Greqisë me vila luksoze dhe resorte që ofrojnë ambiente perfekte për sete fotografike, dasma apo ceremoni të tjera.

Megjithatë, pas ngjyrave tipike të Santorinit qëndron një vullkan aktiv.

Santorini është pjesë e Harkut Vullkanik Helen, një nga fushat më të rëndësishme vullkanike në Europë në të cilën kanë ndodhur mbi 100 shpërthime në 400 mijë vite. 

Vullkani më aktiv nënujor dhe potencialisht i rrezikshëm i Mesdheut Lindor, Kolumbo, është pesë milje në verilindje të Santorinit dhe pjesë e të njëjtit sistem vullkanik. I zhytur në ujërat e Egjeut, Kolumbo ka qëndruar i qetë për thuajse 400 vite, por ai nuk është në “gjumë”.

Herën e fundit që shpërtheu në 1650 i mori jetën 70 personave dhe shkaktoi një cunami me dallgë deri në 12 metra. Pas tij, u regjistruan tërmete të fuqishme dhe pasgoditje, të shoqëruara me çlirimin e gazrave toksikë dhe shtëllungave të tymit.

Shkencëtarët e dinë se shpërthimi i Kolumbos mund të shkaktojë dëme të mëdha. Disa nga ekspeditat më të mëdha oqeanografike në botë e kanë vizituar dhe monitorimi është rritur në 20 vitet e fundit.

Një nga anijet më të mëdha kërkimore amerikane, anija e shpimit të thellë JOIDES Resolution, udhëtoi për në Santorini për misionin e saj të parë mesdhetar midis dhjetorit 2022 dhe shkurtit 2023.

Anija shpoi mbi 8000 metra nën sipërfaqen e detit dhe studiuesit mblodhën sedimente të paarritura më parë për të provuar dhe rindërtuar historinë e vullkanizmit në zonë.

Rezultatet dhe raportet fillestare priten të jenë gati më vonë gjatë këtij viti dhe pritet që t’i ndihmojnë shkencëtarët që jo vetëm të parashikojnë shpërthimet e ardhshme, por edhe të zbulojnë sjelljen e vullkaneve të tjera aktive në mbarë botën që përbëjnë një kërcënim për miliona njerëz që jetojnë në afërsi të tyre.

/CNN/Motilokal.com