Suedia do të jetë e para në botë që do të ketë një autostradë elektrike, automjetet do të mbushën gjatë vozitjes

Suedia do të jetë e para në botë që do të ketë një autostradë elektrike, automjetet do të mbushën gjatë vozitjes

Suedia do të jetë e para në botë që do të ketë një autostradë elektrike dhe deri në vitin 2045 mund të ketë deri në 3000 kilometra rrugë elektrike.

Duke qenë se Bashkimi Evropian vendosi muajin e kaluar që të gjitha veturat e reja nuk duhet të lëshojnë dioksid karboni (CO2) deri në vitin 2035, anëtarët e tij përpiqen të kenë infrastrukturë për udhëtime pa lëndë djegëse fosile.

Autostrada elektrike do të lejojë mbushjen e baterisë së automjetit ndërkohë që lëvizin përgjatë saj. Ekspertët besojnë se kjo do të nënkuptojë udhëtime më të gjata për automjetet me bateri me kapacitet më të ulët. Kjo duhet të parandalojë pritjet e gjata në stacionet e mbushjes.

Siç raporton Euronews, Suedia është një pioniere në elektrifikimin e rrugëve përmes disa projekteve, dhe në mesin e këtyre projekteve është një autostradë elektrike që duhet të lidhë qendrat logjistike midis qyteteve Hallsberg dhe Orebro, të cilat ndodhen midis tre qyteteve të mëdha Stokholmit, Goteborg dhe Malmo.

Si do të funksionojë autostrada elektrike

Seksioni i parë i autostradës elektrike duhet të ndërtohet deri në vitin 2025, por ende nuk është vendosur se si do të mundësojë mbushjen e automjeteve. Ekzistojnë tre mundësi, përkatësisht sistemi i rrjetit zinxhir, sistemi induktiv dhe sistemi përçues.

Vetëm automjetet e rënda mund të ngarkoheshin me sistemin e rrjetit zinxhir. Është një sistem që aktualisht përdoret për të fuqizuar tramvajet dhe trolejbusët. Ky lloj sistemi për automjetet e rënda elektrike ka qenë në përdorim që nga viti 2018 në rrugën që lidh Aeroportin Arland të Stokholmit dhe qendrën logjistike në Rosersberg. Në rrugën prej dy kilometrash ka një hekurudhë kontakti me të cilën lidhet mjeti për t'u furnizuar me energji elektrike.

Sistemi induktiv nënkupton që ka pajisje të posaçme nën rrugë që fuqizojnë automjetin. Spiralja në automjet përdor këtë rrymë për të ngarkuar baterinë.

Sistemi përçues funksionon si një mbushës për telefonat inteligjentë. Megjithatë, në vend të një mbushësi, ka një bllok në rrugë që mundëson mbushjen me valë. Në vitin 2020, në qytetin suedez të Visby u bë i mundur mbushja me valë e autobusëve dhe kamionëve elektrikë.

Përfitimet e mundshme për veturat private

Hulumtimet kanë vërtetuar se madhësia e baterive të veturave mund të reduktohet me 70 për qind me rrugë elektrike. Duke vepruar kështu, u përcaktua se jo të gjitha rrugët në Suedi do të duhej të elektrizoheshin. Vlerësohet se do të ishte e nevojshme të elektrizohen 25 për qind e rrugëve.

Suedia bashkëpunon me Gjermaninë dhe Francën në çështjen e ndërtimit të rrugëve elektrike që synojnë të ndërtojnë edhe Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/Motilokal.com