Ndryshimet klimatike ndikojnë në kultivimin e kafesë

Ndryshimet klimatike ndikojnë në kultivimin e kafesë

Ndërsa ngrohja globale kërcënon dy varietetet kryesore të kafesë, Arabica dhe Robusta, kultivuesit në Afrikë po kthehen në një lloj kafeje që mund t'i rezistojë të nxehtit, thatësirës dhe sëmundjeve.

Fermerët në Ugandë, një nga vendet më të mëdha eksportuese të kafesë në Afrikë, tani po rritin varietetin Liberica excelsa, i cili është shumë më rezistent ndaj kushteve të pafavorshme të motit që ka krijuar ndryshimi klimatik në Afrikë.

Dr. Catherine Kiwuka, një specialiste e kafesë në Organizatën Kombëtare të Kërkimeve Bujqësore, e quajti Liberica excelsa "një lloj kafeje e lënë pas dore". Liberica excelsa është vendase në pjesët fushore të Afrikës Qendrore tropikale. Ajo u kultivua në fund të shekullit të 19-të përpara se të zhdukej. Më pas erdhën efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike. Kultivuesit kanë “ringjallur” edhe një herë Libericën.

Krahasuar me Robustën, e cila është gjithashtu vendase në Uganda dhe lloji dominues i kafesë që rritet në rajon, Liberica-s i duhet më shumë kohë për të maturuar dhe prodhuar fruta.

“Me ndryshimin e klimës do të duhet të mendojmë për specie të tjera që mund të mbështesin industrinë e kafesë në mbarë botën”, tha dr. Kiwuka.

Volcafe, një kompani globale e tregtimit të kafesë në Ugandë, shpreson të dërgojë deri në tre ton Liberica excelsa në vitin 2023 jashtë shtetit, duke përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa Arabica dhe Robusta janë dy llojet më të kultivuara të kafesë, më shumë se 100 lloje rriten në natyrë. Një shumëllojshmëri e Libericës është kultivuar gjithashtu në Azinë Juglindore për një shekull.

“Në një botë që po ngrohet dhe në një epokë të rrënuar nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, kafeja Liberica mund të rishfaqet si një kulturë e rëndësishme”, shkruan shkencëtarët në revistën Nature në dhjetor 2022.

Kur shirat janë të dobët, siç ndodhi në vitin 2022, pemët Robusta vuajnë. Gjethet thahen dhe frutat nuk zhvillohen siç duhet. Të korrat Robusta të Ugandës janë prekur veçanërisht nga thatësira në vitin 2022. Eksportet pritet të jenë edhe më të ulëta këtë vit krahasuar me 2022, sipas Autoritetit të Zhvillimit të Kafes në Ugandë.

/Motilokal.com