Hyundai N Vision 74 së shpejti në rrugë!

Hyundai N Vision 74 së shpejti në rrugë!

Në korrik të vitit 2022, Hyundai prezantoi DeLorean "të tij" në formën e konceptit N Vision 74, i cili është koncept i Pony Coupe dhe tani kompania koreano-jugore planifikon të fillojë prodhimin.

Ashtu si DMC-12, koncepti i vitit 1974 u zbulua në Motor Show në Torino të Italisë dhe u projektua nga i talentuari Giorgetto Giugiaro. Megjithatë, tani Hyundai planifikon të fillojë prodhimin e pasuesit të tij shpirtëror dhe do ta shpallë atë zyrtarisht në fund të majit.

Revista koreane Money Today shkruan se Hyundai do të zhvillojë një event Pony Day në studion e saj të dizajnit në Seul më 27 maj, ku do të shpallë planet për prodhimin e veturës, por edhe do ta shfaqë atë në versionin e saj përfundimtar.

N Vision 74 fuqizohet nga një kombinim i një qelize karburanti me hidrogjen dhe bateri, ose dy motorë të montuar prapa që së bashku japin 671 kf dhe 900 Nm çift rrotullues. Një bateri plotësisht e ngarkuar me një kapacitet prej 62.4 kWh dhe vetëm 4.2 kg hidrogjen mjafton që koncepti të përshkojë më shumë se 600 kilometra.

Koncepti tërheqës përshpejton nga 0 në 100 km/h për rreth 4 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale prej 250 km/h, megjithatë gjatë prezantimit të konceptit u tha se inxhinierët synojnë të instalojnë motorin në pjesën e përparme për të pasur më shumë fuqi dhe performancë më të mirë.

Nga ana tjetër, modeli N i Hyundai po përgatitet të prezantojë modelin e tij të parë elektrik dhe Ioniq 5 N që do të shfaqet në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood, i cili zhvillohet nga 13 deri më 16 korrik.

/Motilokal.com