Sot është përuruar impiant urban për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë, që do t’i shërbejë rreth 30 mijë banorëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Gjermaninë e Zvicrën për kontributin në ndërtimin e impiantit. Është impianti i tretë që përurohet në dy vjetët e fundit.
Banka zhvillimore gjermane (KfW) ka kontribuuar me 6 milionë euro, Qeveria e Zvicrës me 7.6 milionë euro, ndërsa Komuna e Gjakovës me 3.2 milionë euro.
Kurti ka thënë se pas përurimit të impianteve në Prizren, Pejë dhe Gjakovë, do të vazhdohet edhe me punën për një impiant në Gjilan që do të kushtojë rreth 23 milionë euro, në Mitrovicë rreth 40 milionë euro, e po ashtu në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kapin vlerën rreth 160 milionë euro.
“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kryeministri, duke shtuar më tutje se jemi gati për të filluar ndërtimin e tri impianteve të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, së bashku me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe kështu, synojmë që në 5 vitet e ardhshme të kemi 7 kryeqendra me impiante”, tha Kurti.

Falë Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe bashkëpunimit të tyre të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Gjakovës, më 11 maj 2023 u hap në Gjakovë një impiant i madh urban për trajtimin e ujërave të zeza, vlera totale e projektit është 16.8 milion euro, i cili do t'i shërbejë rreth 30.000 banorëve. Projekti është zbatuar me sukses nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.
Ambasadori gjerman Jörn Rohde tha se tatimpaguesit gjermanë kanë kontribuar me 6 milionë euro në ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, i cili do të përmirësojë cilësinë e lumenjve, liqeneve dhe ujërave nëntokësore dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe cilësinë e jetesës së rreth 30.000 qytetarëve të Kosovës.
"Unë sinqerisht vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Zvicrën dhe zbatimin e jashtëzakonshëm përmes Bankës Zhvillimore KfW, si dhe angazhimin e partnerëve tanë të çmuar kosovarë”, tha Rohde.
Ambasadori zviceran Thomas Kolly tha se Zvicra vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë.
"I nisur së bashku me qeverinë gjermane dhe atë të Kosovës, investimi zviceran prej 8 milionë eurosh ka mundësuar ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, si dhe zëvendësimin dhe riparimin e rrjetit të kanalizimit, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Gjakovës, dhe njëkohësisht do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri”, theksoi Kolly.
“Gurthemelin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura e kemi vënë në vitin 2018 dhe Komuna e Gjakovës e ka mbështetur këtë projekt me kënaqësinë më të madhe. Faleminderit Qeverisë Gjermane dhe Zvicerane që e kanë mundësuar këtë projekt dhe shumë projekte të tjera në komunën tonë. Po ashtu faleminderit KRU “Gjakova” për punën e mrekullueshme që bëni çdo ditë, e veçanërisht për këtë projekt. Investimet në ujë janë të domosdoshme sepse ato bëjnë një diferencë të madhe në mjedis, sidomos duke mbrojtur burimet tona ujore dhe shëndetin e qytetarëve. Shumë shpejtë do të vazhdojmë me faza të tjera të projektit, shtrirjen e kolektorëve në të gjitha rajonet e komunës sonë” deklaroi ndër të tjera Kryetari i Komunës Ardian Gjini në fjalën e tij gjatë ceremonisë së përurimit të këtij projekti.
Në ceremoninë e inaugurimit të këtij projekti morën pjesë shumë figura të rëndësishme të nivelit qendrorë, Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova” si dhe përfaqësues të institucioneve lokale.
Kryeshefi Ekzekutiv Hasan Krasniqi në fjalën e tij ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtoret ku “realizimi i projektit për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të ndotura nuk do të ishte i arritshëm pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë Qeverisë Zvicerane, Qeverisë Gjermane, Qeverisë së Kosovës, Komunës së Gjakovës dhe të gjithë punëkryesve që bënë të mundur realizimin e një projekti kaq gjigand dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e Komunës sonë. Me finalizimin e këtij impianti jetesa e qytetarëve tanë do të ketë një dimension tjetër, jo vetëm në mbrojtjen e ambientit por dhe në ruajtjen e burimeve ujore dhe lumenjve nga ujërat e zeza”.
/Motilokal.com
