Deponitë e egra të mbeturinave në Kosovë

Deponitë e egra të mbeturinave në Kosovë

Një nga problemet që vazhdon ta përcjellë gjendjen e mjedisit në Kosovë është edhe prezenca e deponive të egra.

Me qëllim të evidentimit dhe regjistrimit të deponive të egra, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) gjate vitit 2022 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave dhe zyrtarëve të kompanive rajonale, ka bërë evidentimin dhe regjistrimin e deponive të egra në 38 komunat e Kosovës.

AMMK thekson se regjistrimi i deponive është bërë duke i marrë për bazë dy karakteristika: madhësinë dhe kompozicionin e mbeturinave.  

Sipas madhësisë deponitë janë klasifikuar në tri kategori: deponi të mëdha, të mesme dhe të vogla.

Ndërsa sipas kompozicionit të mbeturinave, deponitë janë klasifikuar në: (a) deponi të mbeturinave komunale; (b) deponi të mbeturinave të ndërtimit dhe rrënimit; (c) deponi të mbeturinave të rrezikshme; (d) deponi të mbeturinave të vëllimshme; dhe (e) deponi të mbeturinave të tjera. 

Tutje AMMK thotë se në këtë proces në 38 komuna janë regjistruar gjithsej 763 deponi të egra të madhësive të ndryshme, ku dominojnë kategoria e deponive të vogla me gjithsej 270 të tilla, ndërsa sipas kompozicionit dominojnë kategoria e emëruar si të tjera me 40%. 

"Në rajonin e Prizrenit është regjistruar numri më i madh i deponive të egra me gjithsej 187 kurse në Rajonin e Gjakovës është regjistruar numri më i vogël i deponive me gjithsej 30 deponi", thuhet në njoftim.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thekson se numri më i madh i deponive të egra është regjistruar në komunën e Lipjanit me gjithsej 88 deponi, e prirë nga komuna e Malishevës me 84 deponi, kurse në Komunën e Vitisë dhe Junikut nuk është regjistruar asnjë deponi e egër. 

"Duhet të theksohet se vit pas viti është duke u shënuar progres i theksuar në pastrimin e deponive egra, dhe po ashtu gjithnjë e më pak shohim se po krijohen deponi të reja. Në këtë progres ka ndikuar angazhimi i shtuar i komunave dhe kompanive të menaxhimit të mbeturinave, por edhe rritja e vetëdijes qytetare për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.  Kështu, krahasuar me 1184 deponi të egra të regjistruara në maj 2021, në regjistrimin e fundit të realizuar në qershor 2022 numri i deponive të egra  ka shënuar një rënie prej 426, pra janë evidentuar dhe regjistruar 763 deponi të egra gjithsej në nivel vendi", thuhet në komunikatë.

/Motilokal.com