Lansohet ankandi i parë i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat

Lansohet ankandi i parë i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power kanë shpallur sot ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW, mundësi kjo për të investuar në një të ardhme të ndritshme energjetike.

Para shumë të pranishmëve në këtë ngjarje të rëndësishme, kryeministri Kurti shprehu falënderim ndaj USAID-it dhe ekipës së tyre në Kosovë për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e sektorit tonë të energjisë dhe për përkrahjen e fuqishme drejt tranzicionit energjetik.

‘’Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate të cilave u leverdis varësia energjetike e Evropës. Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Këtë rrugëtim, tha ai, po e bëjmë dhe do ta bëjmë me mikun, partnerin e besueshëm, aleatin e fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët tashmë janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithmbarshëm edhe sa i përket ndërtimit të demokracisë sonë.

Duke folur për ngjarjen e sotme, kryeministri veçoi se Ankandet e energjisë së ripërtëritshme po tregohen që të jenë mekanizëm gjithnjë më i preferuar për qeveri që kanë ambicie për të luftuar ndryshimin klimatik dhe për të arritur sigurinë energjetike. Ato, shtoi më tutje ai, na lejojnë që të tërheqim energji konkurruese në shkallë të madhe, duke siguruar njëkohësisht çmimet më të përshtatshme për qytetarët tanë.

Me këtë Ankand, kryeministri deklaroi se ne ju bashkohemi vendeve, të cilat duke udhëhequr tranzicionin në energji të gjelbër dhe përqafojmë një mjet inovativ për të vendosur burime aty ku janë edhe vlerat tona dhe për ta bërë këtë me çmimin më të volitshëm të mundshëm për qytetarët e Republikës.

Ministria e Ekonomisë do të organizojë ankandin e parë solar në muajt në vijim. Ky parashihet të jetë ankandi i parë që i hap rrugë shumë ankandeve të tjera për energji të ripërtëritshme.

/Motilokal.com