Studentët e Universitetit të Prishtinës renditën në vendin e katërt në garën ndërkombëtare të robotëve autonom

Studentët e Universitetit të Prishtinës renditën në vendin e katërt në garën ndërkombëtare të robotëve autonom

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se nga pjesëmarrja në garën robotike të organizuar nga “NXP semiconductor”, një ndër kompanitë lidere në prodhimin e sistemeve mikroprocesorike, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike kanë arritur të renditen në vendin e katërt, nga më shumë se 100 ekipe pjesëmarrëse.

Siç njofton UP studentët Gentrit Fejza, Arbnor Shabani, Fatlum Telaku, me trajner profesorin Lavdim Kurtaj, këtë sukses e shënuan në Bukuresht të Rumanisë.

“Studentët tanë në programin “Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë” kanë ndërtuar një model autonom të veturës, duke përdorur pjesë të cilat gjenden në një veturë moderne. Ata përfunduan garën në vendin e katërt, me vetëm 0.08 sekonda larg vendit të tretë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se ata janë shprehur mirënjohës ndaj profesorëve të cilët kanë koordinuar dhe fasilituar pjesëmarrjen e tyre në këtë garë ndërkombëtare, duke mundësuar kështu një përfaqësim dinjitoz të UP-së në këtë kompeticion.

/Motilokal.com