Italia do të shpallë gjendje të fatkeqësisë nga përmbytjet shkatërruese

Italia do të shpallë gjendje të fatkeqësisë nga përmbytjet shkatërruese

Qeveria e koalicionit të djathtë në Itali do të shpallë "gjendje të fatkeqësisë natyrore" për shkak të përmbytjeve që ndodhën pas reshjeve të dendura në rajonin Emilia Romagna në pjesën qendrore dhe veriore të Italisë.

Përmbytjet, të cilat shkaktuan humbje jete dhe dëmtime të pronave si pasojë e vërshimit të lumenjve nga reshjet e mëdha që ishin efektive në rajon në fillim të javës, është tema kryesore në agjendën e vendit.

Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto tha se do të shpallin gjendje fatkeqësie në rajonin Emilia Romagna, e cila u prek rëndë nga përmbytjet.

Kreu i Menaxhimit Rajonal të Emilia Romagna-s, Stefano Bonaccini për një kanal televiziv tha se dëmet në rajon janë "disa miliarda euro". Ndërkohë, sipas lajmeve në mediat italiane, numri i viktimave nga përmbytjet ka shkuar në 9, transmeton Anadolu.

Thuhet se numri i personave të zhvendosur nga përmbytjet ka kaluar mbi 20 mijë. Ndërhyrja e zjarrfikësve dhe ekipeve të mbrojtjes civile për shpëtimin e të prekurve nga përmbytjet ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Si pasojë e përmbytjeve në zonë 23 lumenj dolën nga shtrati ndërsa pati rrëshqitje dheu në 280 pika, 400 rrugë u mbyllën për transport dhe 50 mijë persona mbetën pa energji elektrike.

Shoqata Bujqësore Italiane (Coldiretti) bëri të ditur se 5 mijë ferma që merren me prodhimtari bujqësore janë nën ujë.

Thuhet se niveli i ujit ka arritur në 1 metër në qendër të disa qyteteve si Lugo.

Ndërkaq po punohet për hapjen e rrugëve që janë të mbyllura për transport për shkak se janë nën ujë ose janë dëmtuar nga rrëshqitja e dheut në rajon.

/Anadolu/Motilokal.com