Sa janë të sigurta fluturimet në nënqielllin e Kosovës?! Flet për Motilokal drejtori ASHNA-së Samir Bllacaku

Sa janë të sigurta fluturimet në nënqielllin e Kosovës?! Flet për Motilokal drejtori ASHNA-së Samir Bllacaku

Në një kohë kur siguria dhe efikasiteti i trafikut ajror janë prioritet për të gjitha vendet e botës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (ASHNA) luan një rol kyç në normalizimin dhe ofrimin e shërbimeve të navigimit ajror për shfrytëzuesit e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës. E drejtuar nga z. Samir Bllacaku, kjo agjenci është përkushtuar në garantimin e sigurisë së lartë dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të trafikut ajror në vend.

Nga intervista e dhënë për motilokal.com me z. Bllacaku, drejtori i ASHNA-së, përfituam një pamje më të qartë të misionit dhe sfidave që e përcjellin këtë institucion të rëndësishëm. Incidenti i fundit ku dy aeroplanë ishin afër “përplasjes” në hapësirën ajrore të Kosovës nuk është vetëm një rast i izoluar, por është trajtuar me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur nga autoritetet kompetente. ASHNA ka bërë hapa të rëndësishëm në eliminimin e rrezikut të përplasjes së fluturakëve dhe ka marrë masa për të garantuar që incidente të tilla të mos përsëriten.

Një tjetër sfidë me të cilën ballafaqohet ASHNA janë kontrollorët. Megjithëse agjencia ka numër të mjaftueshëm të kontrollorëve, ikja e tyre është një shqetësim për agjencinë. ASHNA po zhvillon strategji dhe po bashkëpunon me Ministrinë e Infrastrukturës për të adresuar këtë çështje dhe për të siguruar që kontrollorët të kenë kushtet dhe pagat e duhura për të qëndruar në vend dhe për të përmbushur detyrat e tyre me efikasitet.

Tutje në këtë intervistë drejtori z. Bllacaku theksoi se janë duke bërë përgatitjet për marrjen e plotë të kontrollit të hapësirës së lartë ajrore. Po ashtu, sipas tij prioritet mbetet përkushtimi për zvogëlimin e emetimeve të CO2 dhe ndotjes akustike.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

z. Bllacaku, muaj më parë ka ndodhur një incident ku dy aeroplanë për pak sa nuk janë përplasur mes vete. Çfarë realisht ka ndodhur dhe sa është e sigurt hapësira ajrore mbi Kosovë?

Hapësira Ajrore e Kosovës është e sigurt dhe kjo garantohet nga auditimet e rregullta që bëhen jo vetëm nga Autoriteti i Aviacionit të Republikës së Kosovës, por edhe nga mbikëqyrja e Autoritetit të Aviacionit Islandez që janë të kontraktuar nga KFOR-i, d.t.th. kemi mbikëqyrje të dyfishtë. Këto autoritete sigurojnë që ASHNA aplikon standardet ndërkombëtare si në çdo shtet të Evropës.

Incidenti, të cilit i referoheni ka ndodhur dhe është trajtuar me seriozitetin dhe profesionalizmin me të madh nga të gjitha autoritetet që e kanë për detyrë hetimin e rasteve si ky i fundit (DCS, AAC, KHAIA). Procedurat dhe pajisjet në masë të madhe e eliminojnë përplasjen e fluturakeve dhe në këtë rast nuk kanë qenë afër përplasjes (këtë e thotë edhe hetimi), por këto incidente trajtohen dhe hetohen si incidente serioze dhe merren masat që të mos përsëriten.

Përveç këtij incidenti, shpeshherë është përfolur edhe për ikjen e kontrollorëve nga Kosova. A ka kontrollorë të mjaftueshëm për ta vrojtuar trafikun ajror të Kosovës? 

ASHNA ka numër të mjaftueshëm të kontrollorëve për kontrollimin e hapësirës ajrore të Kosovës. Megjithatë dukuria e ikjes se kontrollorëve është një shqetësim për ASHNA-në me të cilin jemi duke u marrë seriozisht së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Shqetësimi kryesor i kontrollorëve është paga e cila në publik konsiderohet që është e lartë, deri sa në krahasim me rajonin janë më pak të paguar dhe janë shumë të kërkuar në tregun ndërkombëtar. Vlen të theksohet se pagat e kontrollorëve nuk kanë pasur rritje që prej vitit 2006.

Cili është roli i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror në zhvillimin e një infrastrukture të sigurt dhe të qëndrueshme të trafikut ajror në Kosovë?

ASHNA me ligjin e vet është e obliguar të bëjë planifikimin dhe investimin e një infrastrukture të sigurt dhe të qëndrueshme dhe në këtë frymë ASHNA ka pasur edhe përkrahje nga buxheti i Republikës së Kosovës edhe pse kjo nuk është praktikë sipas rregulloreve ndërkombëtare të tarifimit dhe financimit të ASHNA-ve. Me investimet e fundit të financuara nga Qeveria me zgjatjen e pistës dhe sistemit preciz të aterrimit pothuajse nuk kemi pasur anulime të fluturimeve gjatë sezonit të dimrit dhe gjithashtu kemi pasur numër të konsiderueshëm të fluturimeve që kanë aterruar tek ne deri sa për shkak të motit të ligë nuk kanë mundur të aterrojnë në Tiranë dhe në Shkup.

z. Bllacaku, a mund të na tregoni se cili është roli i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës në rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e aviacionit dhe si po kujdeset agjencia për të promovuar interesat e Kosovës në këtë fushë?

ASHNA për shkak të statusit politik të Kosovës nuk është anëtare e organizmave ndërkombëtare të aviacionit dhe kjo e vështirëson pozicionin e ASHNA-së. Sidoqoftë, ne kemi hapur dy korridore me Shqipërinë që e kanë shkurtuar kohën e fluturimit në një drejtim përafërsisht 15 minuta dhe jemi në proces të hapjes së korridoreve me Malin e Zi që do ta shkurtojnë kohën e fluturimit në një drejtim përafërsisht edhe për 10 minuta të tjerë. Vlen të theksohet që Kosova prej vitit 1999 ka pasur vetëm dy korridore me Maqedoninë e Veriut.

Çfarë masash dhe iniciativash zbatohen për të rritur efikasitetin, besueshmërinë dhe sigurinë e menaxhimit të trafikut ajror në hapësirën e Kosovës?

ASHNA aplikon standardet ndërkombëtare të trajnimit të stafit si dhe standardet ndërkombëtare të mirëmbajtjes se pajisjeve dhe ju nënshtrohet auditeve të rregullta dhe ad-hoc nga autoritetet. Çdo ndryshim, instalim, apo procedurë përcillet me rregulloret standarde ndërkombëtare që garantojnë besueshmërinë dhe sigurinë si në çdo shtet të Bashkimit Evropian.

Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovë për të siguruar një trafik ajror të sigurt dhe efikas në të ardhmen?

ASHNA është duke bërë përgatitjet për marrjen e plotë të kontrollit të hapësirës së lartë ajrore, një proces i gjatë dhe i ndërlidhur ngushtë edhe me faktorë të jashtëm.

Si ndikon ndryshimi i klimës dhe fenomenet ekstreme të motit në operacionet e kontrollit të trafikut ajror në Kosovë? A jeni përballur me sfida të veçanta në këtë drejtim?

Me projektin e zgjatjes se pistës të financuar nga Qeveria e Kosovës kemi përfituar edhe dy sisteme të parashikimit të motit (një main dhe një backup) dhe mund të themi se jemi lider në rajon. Këto sisteme së bashku me sistemin e aterrimit preciz (ILS Cat3b) puna jonë është lehtësuar mjaft shumë si dhe cilësia e shërbimeve që ASHNA ofron është ngritur në nivel të lartë.

Çfarë ndikimi ka teknologjia moderne në operacionet e ASHNA-së, sidomos në komunikim, navigim dhe vrojtim? A po planifikoni të përdorni teknologji të gjelbra ose më efiçiente në këto fusha?

Çdo sistem përbehet nga burimet njerëzore, procedurat dhe pajisjet. Mund të themi pa hezitim se burimet njerëzore dhe procedurat i kemi në nivelin e standardeve ndërkombëtare, deri sa pajisjet janë gjithmonë sfidë në vete për çdo ofrues të shërbimeve të navigimit. Këtë vit jemi në proces të instalimit të paneleve solare në ambientet e ASHNA-së, instalim ky që presim të na i zbret shpenzimet e energjisë elektrike si dhe do të mund t’ju ofrojmë punonjësve tanë edhe mbushje të veturave elektrike.

z. Bllacaku, si po përgatitet ASHNA për të zvogëluar ndikimin mjedisor të transportit ajror në Kosovë?

Me shkurtimin e rrugëve ajrore, hapjen e korridoreve të reja do të kemi më pak emetim të CO2 rrjedhimisht edhe pak ndotje.

Çfarë masash sigurie dhe cilësie ka ASHNA për të garantuar se operacionet ajrore nuk ndikojnë negativisht në mjedisin e Kosovës?

Kompanitë ndërkombëtare që ne i kontraktojmë për disejnimin e operacioneve ajrore janë të licencuara sipas standardeve ndërkombëtare, një prej tyre edhe mbrojtja e mjedisit si në çdo vend të Bashkimit Evropian, standard ky që aplikohet edhe në Kosove.

Si po përdoret informacioni aeronautik për të ndihmuar në menaxhimin dhe reduktimin e ndikimit mjedisor të fluturimeve?

Me hapjen e rrugëve të reja me Malin e Zi ndikimi në mjedis do të jetë edhe më i vogël.

A ka ndonjë plan të veçantë për të zvogëluar emetimet e CO2 dhe ndotjen akustike nga fluturimet që menaxhohen nga ASHNA?

ASHNA si çdo ofrues i shërbimeve të navigimit prioritet e ka sigurinë e fluturimeve dhe gjithashtu është e përkushtuar në zvogëlimin e emetimeve të CO2 dhe ndotjes akustike.

/Motilokal.com