Nxehtësia ekstreme mund të detyrojë miliarda njerëz të migrojnë në zona më të freskëta

Nxehtësia ekstreme mund të detyrojë miliarda njerëz të migrojnë në zona më të freskëta

Një studim i fundit në lidhje me ngrohjen globale thekson se si pasojë e këtij fenomeni miliarda njerëz mund të zhvendosen nga vendbanimet e tyre.

Sipas të dhënave planeti po shkon drejt një rritje prej 2.7 gradë Celsius, që do të thotë se 2 miliardë njerëz do të përballen me temperatura mesatare vjetore mbi 29 gradë deri në vitin 2030, një nivel në të cilin shumë pak komunitete kanë jetuar në të kaluarën.

Në vendet me popullsi të madhe dhe klimë tashmë të ngrohtë, shumica e njerëzve do të duhet të migrojnë, sidomos në Indinë dhe Nigerinë që përballen me kërcënimet më të menjëhershme.

Sa i përket Indisë, ajo tashmë vuan nga nxehtësia ekstreme dhe një studim i fundit zbuloi se më shumë se një e treta e vdekjeve nga viti 1991 deri në 2018 ishin rezultat i ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzit.

Autorët shikuan gjithashtu vendet me ekspozimin më të madh ndaj temperaturave më ekstreme sipas zonës. Me këtë masë, Burkina Faso, Mali dhe Katari përballen me efektet më të këqija të të nxehtit ekstrem, pasi në asnjë pjesë të territorit të tyre nuk do të ketë temperatura më të freskëta.

Disa vende, të cilat përballen me pasojat shkatërruese të rritjes së temperaturave, do të jenë më mirë nëse përmbushen objektivat klimatike. Në Filipine, për shembull, 86 milionë njerëz do të jetonin në kushte ekstreme të temperaturës nën skenarin më të lartë të ngrohjes, një shifër që bie në 186,000 nëse bota përmbush objektivat e OKB-së.

Profesor Tim Lenton, në Universitetin e Exeter në Britani, i cili udhëhoqi studimin e ri, tha: “Kostot e ngrohjes globale shpesh shprehen në terma ekonomikë, por studimi ynë nxjerr në pah koston marramendëse njerëzore të dështimit për të trajtuar ndryshimet klimatike emergjente .

Ndër të tjera thuhet se për shkak të nxehtësisë ekstreme  deri në 1 miliardë njerëz do të detyrohen që të emigrojnë në vende të freskëta.

Megjithatë, veprimi urgjent për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit dhe për të mbajtur ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius ka potencialin të reduktojë numrin e njerëzve të shtyrë nga zona e tyre klimatike me 80%, në 400 milionë.

/Motilokal.com