CNN rendit Shqipërinë mes 12 destinacioneve në botë për t’u vizituar për këtë verë

CNN rendit Shqipërinë mes 12 destinacioneve në botë për t’u vizituar për këtë verë

Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion mjaft të preferuar të turistëve të huaj, por edhe në një vend mjaft të rekomanduar nga mediat botërore, të cilat shkruajnë për mrekullitë e saj natyrore, ushqimin dhe pasurinë historike.

Media prestigjoze amerikane, CNN ka renditur Shqipërinë mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion turistik i qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

Shqipëria është renditur mes vendeve të mëdha turistike e si Italia, Spanja, Tajlanda etj. Duke vlerësuar bukuritë natyrore dhe mundësitë e jashtëzakonshme për eksplorim, CNN thekson se Shqipëria do të ofrojë plazhe mahnitëse të pacenuara.

“Shqipëria është një perlë mesdhetare që ka të ngjarë të jetë më pak e mbushur me njerëz këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia, thotë Joao Donadel, një tjetër këshilltar i udhëtimeve në EMBARK Beyond. Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme me plazhe të pacenuara; Butrinti, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, plus mundësi për shëtitje, ecje dhe eksplorim të jashtëzakonshëm”, thuhet në shkrimin e CNN.

Shkrimin e CNN e ka shpërndarë në rrjetin social “Facebook” edhe kryeministri, Edi Rama, duke thënë se tashmë vendi ynë është një “perlë mesdhetare dhe këtë e thotë gjigandi mediatik botëror CNN që na rendit mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke ofruar eksperiencën unike të pushimeve për vitin 2023”.

CNN nuk është media e parë prestigjoze që shkruan për Shqipërinë dhe bukuritë e saj natyrore, pasi prej kohësh media të vendeve të ndryshme zgjedhin të shkruajnë për vendin tonë.

/Motillokal.com