Rama: Asnjë tolerim ndaj askujt që shkel ligjin me prodhimin apo tregtimin e qeseve plastike

Rama: Asnjë tolerim ndaj askujt që shkel ligjin me prodhimin apo tregtimin e qeseve plastike

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka vijuar me kontrollet në terren për sigurimin e zbatimit të ligjit që ndalon përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimëshe në treg.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në profilin e tij në Facebook ka publikuar fotografi gjatë kontrolleve në treg nga inspektorët e ISHMT-së.

Ai ka theksuar se nuk do të ketë tolerim për importuesit dhe as prodhuesit e qeseve që nuk plotësojnë standardet.

“Asnjë tolerim ndaj askujt që shkel ligjin duke vazhduar ende me prodhimin, importimin apo tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimëshe, tashmë kategorikisht të ndaluara”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se, Task-Forca po vazhdon punën në terren për të kontrolluar subjektet.

“Pas një fushate shëmbullore të informimit publik dhe ndërgjegjësimit të shumicës prej qytetarëve mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të reduktimit të plastikës, Task-Forca vazhdon punën çdo ditë në terren për të kontrolluar subjektet që vazhdojnë avazin e vjetër kokëfortë të moszbatimit të ligjit”, theksoi Rama.

Kujtojmë që nga 1 qershori i vitit 2022 në Shqipëri ndalohet përdorimi i qeseve plastikeke.

Ligji parashikon edhe gjoba nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra.

/Motilokal.com