Pamje se si u shpëtua çifti gjerman në Gjeravicë

Pamje se si u shpëtua çifti gjerman në Gjeravicë

Shërbimi i Kërkim–Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se ekipet e tyre kanë shpëtuar një çift turistësh gjerman në Gjeravicë, të cilët ishin duke kaluar nga Gropat e Erenikut për në stanet e Dobërdolit.

Operacioni i shpëtimit përfundoi pas mesnatës, me ndihmën e koordinimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit me Policinë e Kosovës.

“Me datën 07.06.2023 në ora 18:36 pranuam një thirrje nga Qendra Kombëtare e Emergjencave/Tiranë, të cilët na njoftuan për një rast emergjent në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri. Bëhej fjalë për një çift turistësh Gjerman, të cilët ishin duke kaluar nga Gropat e Erenikut për në stanet e Dobërdolit, mirëpo për shkak të terrenit të mbuluar me borë dhe kushteve jo të favorshme atmosferike janë ndalur me panikë duke mos mundur të vazhdojnë më tej dhe kanë kontaktuar numrin emergjent 112 për ndihmë. Valët e telefonisë mobile janë kyçur me ato të Shqipërisë duke krijuar këtë zinxhir (efikas )të thirrjeve dhe organizimit të operacionit të shpëtimit malor. Koordinatat e dërguara rezultonin me vendin e quajtur qafa e Gusanit, e cila pozicionohet shumë afër majës së Gjeravicës”, thuhet në njoftim.

“Shumë shpejt bëhet koordinimi me anëtarët dhe Policinë e Kosovës dhe me një planifikim operacional nis operacioni i shpëtimit malor. Një ekip i ShKShMK së fillon qasjen në lokacionin e lartcekur nga krahu verior apo Bjeshkës së Vokshit, kurse ekipi tjetër nga Gropa e Erenikut – krahu juglindor, por me koordinim të plotë mes njëri tjetrit. Banorët lokal të zonës nga Juniku në mesin e tyre edhe bjeshkatarë, me të kuptuar rastin ishin nisur në ndihmë dhe kishin arritur tek turistët pak kohë para arritjes të shpëtuesve tanë. Turistët pas një operacioni të suksesshëm disa orësh janë evakuuar në Gropa të Erenikut pa ndonjë problem shëndetësor”, thuhet tutje.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka apeluar që shtegu që lidh majën e Gjeravicës dhe Dobërdolin momentalisht të kalohet vetëm me pajisje të sigurisë dhe rekomandohet me udhëheqës malorë, pasi pjesa e pjerrët mbi liqenin zemër është akoma e mbuluar me borë dhe kërkon pajisje për bjeshkatari në kushte dimërore.

“Andaj zgjidhni një shteg alternativ duke u konsultuar me banorët e zonës apo udhëheqësit malor që operojnë në këto zona. Gjithashtu para nisjes në çdo aktivitet të merren informata të sakta për motin, dhe të përdoren pajisjet e orientimit si harta, GPS, etj”, thuhet në njoftim.


/Motilokal.com